Serie A, Inter kërkon zëvendësuein e Calhanoglu; mendohet për Kokcu të Benfikës

Sport

Një mesfushor turk për një tjetër. Duket se Interi ka gjetur zëvendësuein e Hakan Calhanoglu në zemër të rreshtimit të Interit, duke vendosur në listën e dëshirave, pikërisht bashkëkombasin e tij, Orkun Kokcu. 24-vjeçari që aktivizohet në radhët e Benfikës në Portugali ka bërë një sezon mjaft të mirë në radhët e ‘shqiponjave’, që e patën transferuar në verën e 2023-shit nga Feyenoord për thuajse 30 milionë euro. Pasi ra në sy tek skuadra holandeze, Kokcu ia doli të përshtatej në kohë edhe tek Benfika, duke u shndërruar në një titullar të rëndësishëm për ta. Por këto paraqitje kanë fituar edhe vëmendjen e disa skuadrave në merkato, përfshirë edhe Interin. Edhe pse ditë më parë u përfol se për Kokcu mund të vinte ndonjë ofertë nga Anglia, ku situatën e tij e ndjekin me kujdes disa klube, mund të jetë Interi ai që do të bëjë hapat e parë konkretë për afrimin e tij. Kokcu ka në kontratën e tij me Benfikën një klauzolë largimi, që thuhet se mesfushori mund të largohet nëse paguhen 150 milionë euro. Sigurisht që kjo shifër është vendosur nga Benfika për të mos lejuar ndonjë surprizë nga merkato, sepse realisht, klubi portugez pretendon të paktën 40 milionë euro. Mediat portugeze po ashtu konfirmojnë se Benfika do të ishte e interesuar që përpos kësaj shifre, të përfshinte në marrëveshjen e mundshme me Interin edhe ndonjë nga lojtarët e rinj të akademisë së zikaltërve, diçka jo e pazakontë për klubin portugez. Interi nga ana tjetër do të hapë zyrtarisht bisedimet për Orkun Kokcu vetëm pas shitjes përfundimtare të Calhanoglu. Aktualisht, Galatasaray nuk ka patur bisedimet të mëtejshme me klubin italian e po ashtu asnjë ofertë zyrtare për kartonin e mesfushorit nuk ka mbërritur në Lombardi, duke bërë që situata të jetë ende e tensionuar dhe e paqartë.