Serie A, Inter kërkon t’i përgjigjet Juventus…

Sport

Juventus-i po shihet si skuadra që ka bërë lëvizjet më të mira gjatë merkatos së janarit, sidomos me blerjen e atij që po lufton për t’u shpallur si golashënuesi më i mirë në ‘Serie A’, Dusan Vlahovic. Afrimi i shtatlartit serb po rezulton një goditje e rëndësishme për bardhezinjtë edhe sa i përket të ardhmes, duke detyruar rivalët të fillojnë të lëvizin për t’u përgjigjur. Një gjë të tillë duket se do ta bëjnë ata të Inter-it në merkaton e verës, ku për sulmin po studiohen disa emra mjaft interesante. Interesi i zikaltërve për sulmuesin e Sassuolo-s tashmë nuk është një sekret. 23-vjeçari ka bërë paraqitje shumë të mira përgjatë këtij sezoni me fanellën e klubit nga Emilia-Romagna, duke gjetur në 9 raste edhe rrugën e rrjetës. Afrimi i tij gjithësesi nuk duket një mision i lehtë, për shkak të pretendimeve të Sassuolo-s, apo edhe prej konkurencës së madhe për shërbimet e Scamacca-s. Një emër që ka hyrë në modë në orët e fundit tek kampionët në fuqi të Italisë është edhe ylli i Lille, Jonathan David. 22-vjeçari kanadez numëron 16 gola të shënuar përgjatë këtij sezoni, teksa ka shfaqur shpesh aftësinë e tij për t’u përshtatur në role të ndryshme të sulmit. Një lojtar shumë i fortë në aspektin fizik, i shpejtë e që garanton grintë në repartin ofensiv. Por njësoj si në rastin Scamacca, edhe për David, konkurenca është e lartë. Madje afrimi i 22-vjeçarit duket të jetë një mision edhe më i vështirë, pasi për të interesohen edhe disa klube angleze, që nuk e kanë të vështirë të sfidojnë në aspektin financiar skuadrat italiane. Por operacioni më interesant që mund të realizonin drejtuesit e Inter-it, do të ishte afrimi në fund të sezonit i Paulo Dybala-s. Argjentinasit i skadon kontrata me Juventus-in pas 5 muajsh dhe deri më tani, nuk duket të ketë përparime sa i përket rinovimit të kontratës. Me afrimin e Dybala-s, Inter-i jo vetëm që do të përforcohej në sulm me një lojtar të klasit të lartë, por njëkohësisht do të largonte nga rivalët e Juventus-it një nga elementët kryesorë të skemave të trajnerit Massimiliano Allegri. Problem në këtë rast do të ishte paga e Dybala-s, pasi argjentinasi nuk heq dorë nga kërkesat e tij, duke synuar një pagë bazë prej të paktën 8,5 milionë eurosh, pa përfshirë bonuset.