Mehdi Taremi nuk ia doli gjatë sezonit të kaluar të plotësonte pritshmëritë e drejtuesve të Interit, që e konsideruan si një goditje të rëndësishme, kur e transferuan me parametra zero nga Porto. Sulmuesi iranian nuk ka gjetur hapësirat e mundshme në radhët e zikaltërve, që prioritet kanë patur gjithnjë kapitenin Lautaro Martinez dhe francezin Marcus Thuram, por edhe kur ka patur shanset e tij, Taremi nuk i ka shfrytëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Tani klubi po kërkon të bëjë lëvizje të rëndësishme në merkato, por fillimisht nevojitet që disa nga lojtarët që konsiderohen jashtë projektit të trajnerit Chivu, të largohen këtë verë. Një prej tyre është edhe Taremi, por që prej kohësh nuk ka parë interes konkret ndaj tij. Përfaqësuesit e lojtarit janë përpjekur të kontaktojnë vetëm me klube që luajnë në kampionate elitare dhe së fundmi kanë marrë një reagim nga Anglia. Mediat italiane raportojnë se Leeds dhe Fulham kanë shfaqur interesin për të afruar në skuadër sulmuesin iranian, gjithnjë nëse kërkesat e Interit për kartonin e tij do të konsiderohen të arsyeshme. 33-vjeçari është i gatshëm të bëjë edhe kompromise me pagën apo bonuset e tij, për të provuar një aventurë të re, në një tjetër kampionat kompetitiv si ‘Premier League’-a. Shumë shpejt, ata të Leeds mund të paraqesin një propozim fillestar për kartonin e Taremit dhe tek Interi janë gati ta marrin në konsideratë, ndërsa ata të Fulham, kërkojnë të shqyrtojnë edhe mundësitë e tjera me kosto të ulët, që mund të ofrojnë kjo verë. Ditë më parë, nga Brazili u përfol se erdhën dy propozime për sulmuesin iranian, por Taremi vendosi t’i refuzojë të dyja. Flamengo dhe Botafogo ishin gati të investonin për të, por dëshira e 33-vjeçarit është të mbetet në elitën e futbollit europian. Sezonin e shkuar, Taremi zbriti në fushë me fanellën e Interit në 43 ndeshje, ndonëse në pjesën më të madhe të tyre, nga stoli. Iraniani ia doli të shënonte vetëm 3 gola, por dha një kontribut të rëndësishëm me 9 asiste në të gjitha kompeticionet.
