Serie A, Inter ka kërkuar të luajë ndaj Romës në maj, por liga e refuzoi

Sport

Zhvendosja e kalendarit të ‘Serie A’ në këtë fund të sezonit ka sjellë jo pak probleme për ligën dhe klubet italiane, që në pamundësi për të gjetur data të tjera të përshtatshme për të luajtur, kanë ngjeshur kalendarin e javës së 34-t. Kjo ka sjellë disa pakënaqësi nga ana e klubeve, me Lazio-n që ishte e para që shprehu indinjatën për datat dhe orën e caktuar. Të kaltrit do ta luajnë të hënën në mbrëmje ndeshjen e tyre ndaj Parmës, ndërsa tani zbulohet se edhe Interi ka kërkuar një zhvendosje të sfidës ndaj Romës. Klubi zikaltër ka kërkuar nga liga që ndeshja ndaj kryeqytetasve të zhvendoset për t’u luajtur në muajin maj, por kanë marrë një përgjigje të menjëhershme. Në mënyrë kategorike, liga e ka refuzuar një kërkesë të tillë, pavarësisht ankesës së bërë nga kampionët në fuqi, me pretendimin se diçja e tillë, mund të kompromentojë garën, duke iu referuar çështjes së titullit dhe luftës për zonën europiane. Kështu, Interi do të bëhet e para skuadër italiane që luan ndeshjen e kampionatit të dielën, përpara një gjysmëfinale të ‘Champions League’-ës, teksa për të gjitha skuadrat e tjera do të ketë të paktën 24 orë më shumë pushim. Kjo ndodh për të herë të parë në futbollin italian dhe për Interin nuk mbetet gjë tjetër, por të provojë të mbledhë forcat për javët më të rëndësishme të gjithë sezonit të tyre. Inter luan të dielën në orën 15:00 ndaj Romës, ndërsa të mërkurën e 30 prillit, sfidon Barcelonën në Spanjë, ndaj të cilëve do të luajnë edhe një javë më pas, por në Milano, për të përcaktuar mes tyre kush do të jetë një nga finalistët e këtij sezoni në ‘Champions League’.