Serie A, Inter ka gati propozimin për sulmuesin Romelu Lukaku

Sport

Romelu Lukaku e ka bërë të qartë se kërkon të vijojë të jetë pjesë e skuadrës së Interit edhe për sezonin e ardhshëm. Sulmuesi belg ka refuzuar oferta të rëndësishme në këtë merkato verore, duke hedhur poshtë edhe milionat e Arabisë Saudite, që deri më tani kanë bërë për vete një listë të gjatë yjesh të futbollit europian. Lukaku është në pronësi të skuadrës së Chelsea-t, por dëshira e 31-vjeçarit është të mbetet në Milano, tek Interi, ku duket se ia del të japë gjithnjë më të mirën e tij. Marotta dhe drejtues të tjerë të zikaltërve po punojnë prej kohësh për të gjetur formulën e duhur të transferimit të Lukaku-t, edhe pse për të bindur Chelsea-n, do të duhet të shpenzohen jo pak nga arkat e klubit. Fillimisht tek Interi kërkuan të zgjasnin më tej huaizmin e Lukaku-t, por kjo mundësi u hodh menjëherë poshtë nga ana e drejtuesve të Chelsea-t. Ndërkohë mediat italian zbulojnë ofertën e parë që Interi do të dërgojë drejt Londrës për kartonin e belgut, që ashtu siç ishte aluduar ditë më parë, konsiston në huazim për një vit të sulmuesit, që do të paguhet rreth 5 milionë euro, bashkë me detyrimin e blerjes së kartonit të Lukaku-t në fundin e sezonit të ardhshëm, për një shifër që nuk i kalon 30 milionë eurot. Kjo ofertë nuk mendohet se do të kënaqë kërkesat e Chelsea-t, që nuk pranon më pak se 40 milionë euro për sulmuesin 31-vjeçar, por është një pikënisje e mirë që dy klubet të gjejnë një marrëveshje mes tyre. Interi e ka të vështirë të plotësojë këto kërkesa të Chelsea-t, nëse zikaltërit nuk do të bëjnë disa largime të rëndësishme. Pas shitjes së Brozovic, drejtuesit e italianëve janë pranë një marrëveshjeje edhe për largimin e Onana-s, që do të gjeneronte një shifër të konsiderueshme për klubin. Nëse një kalim i përfolur i portierit tek Manchester United do të ndodhë, atëherë Interi do të ketë paratë e nevojshme për të zyrtarizuar afrimet e Romelu Lukaku-t, por edhe të Davide Frattesi-t, i cili prej kohësh ka një akord me zikaltërit.