Serie A, Inter ka gati planin ‘B’ për stadiumin; mund të dalin jashtë Milanos

Sport

Lajmi se Milani ka vendosur të ndërtojë një stadium të ri, duke vepruar krejt të vetëm, pra duke përjashtuar Interin dhe bashkinë e Milanos, ka bërë që shumë gjëra të ndryshojnë sa i përket të ardhmes së klubeve milaneze. Presidenti i kuqezinjve, Paolo Scaroni zbuloi se Milani do të ndërtojë një stadium të ri në hipodromin e La Maura-s, që është shumë pranë vendndodhjes së ‘San Siro’-s. I pyetur nga gazetarët, administatori i përgjithshëm i klubit të Interit, Alessandro Antonello ka reaguar në lidhje me të ardhmen e skuadrës, me çështjen e stadiumit që ka marrë vërtet përmasa qesharake, për shkak të burokracive të shumta. Antonello shpjegoi se planin fillestar i zikaltërve ka qenë ai i rinovimit të ‘San Siro’-s, ku do të vazhdonin të operonin bashkë me Milanin, por në rast se kuqezinjtë do të vendosin të vijojnë me një projekt më vete, atëherë edhe Interi do veprojë ndryshe. Sipas tij, për momentin plani për të qëndruar me Milanin në ‘San Siro’ mbetet aktiv, pasi kuqezinjtë ende nuk kanë ndërmarrë hapa konkret për ndërtimin e një stadiumi të ri. Por edhe nëse fjalët e thëna nga Scaroni do të konfirmohen edhe me veprime, atëherë Antonello zbuloi se Interi po ashtu nuk do të qëndrojë në ‘San Siro’, por do të vazhdojë me planin ‘B’. Ai nuk tregoi se bëhet fjalë për ndërtimin e një stadiumi të ri apo jo, teksa sa i përket vendndodhjes, shpjegoi vetëm se do të jetë jashtë qytetit të Milanos, pasi aty mungojnë hapësirat për të ndërtuar një kompleks të madh, me një stadium në qendër, që thuhet se ështe dhe ideja kryesore e drejtuesve të Interit.