Serie A, Inter, Inzaghi rigjen Lukakun; sulmuesi mund të jetë gati për Fiorentinën

Sport

Dëmtimi i Romelu Lukaku-t është kthyer në një mister të vërtetë për tifozët e Interit. Sulmuesi belg ka qëndruar jashtë fushave të blerta më gjatë se sa mendohej, duke humbur disa sfida të rëndësishme për skuadrën. Megjithatë, pritjes po i vjen fundi. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, trajneri Inzaghi mund të ketë në dispozicion Lukaku-n për sfidën e javës së 11 në kampionatin italian ndaj Fiorentinës, ndonëse ende nuk ka marrë një konfirmim të plotë nga stafi mjekësor i skuadrës, nëse sulmuesi mund të luajë që nga fillimi apo jo. 29-vjeçari mungon prej thuajse 50 ditësh, për shkak të një problemi muskulor, që fillimisht nuk u raportua të ishte kaq i rëndë. Inzaghi me gjasa do të provojë ta aktiviojë Lukaku-n në takimin ndaj Fiorentinës, por jo nga minuta e parë. Tekniku i zikaltërve e sheh me shumë rëndësi përballjen e mesjavës së ardhshme ndaj Viktoria Plzen në ‘Champions League’ dhe prezenca e Lukaku-t mendohet të jetë me peshë për klubin italian. Belgu është stërvitur në ditët e fundit bashkë me skuadrën, por në aspektin fizik, ka ende punë për të bërë përpara se të jetë në më të mirën e tij. Tek Interi janë treguar të kujdesshëm për të mos nxituar me rikthimin e sulmuesit në fushën e blertë, pasi diçka e tillë mund të komplikonte edhe më tej situatën. Veç përballjeve që vulosin fatin e tyre në ‘Champions League’, deri përpara nisjes së botërorit, Interi do të luajë në kampionat edhe ndaj emrave si Juventus e Atalanta. Për këtë arsye, Inzaghi dhe stafi i tij kanë këmbëngulur për të mos e kthyer Lukaku-n në fushë përpara kohe. Belgu ka dhënë sinjalet e rikthimit, por nëse do të jetë në fushë ndaj Fiorentinës apo jo, mbetet në dorën e trajnerit Inzaghi, që në të dyja rastet, vështirë se mund ta lejojë 29-vjeçarin të luajë 90 minuta të plota.