Serie A, Inter, Inzaghi beson tek forca e skuadrës; ‘sytë’ nga ‘Scudetto’

Sport

Interi ka ende punë për të bërë në merkaton e verës, sa i përket përforcimeve që do të vihen në dispozicion të trajnerit Simone Inzaghi. Klubi zikaltër gjithësesi duket se i ka idetë e qarta dhe tekniku 47-vjeçar është i bindur se ekipi i tij do të jetë gati të nisë sezonin e ri në mënyrën më të mirë në mundshme. Nga grumbullimi në Osaka të Japonisë, Inzaghi u shfaq besimplotë rreth forcës që ka skuadra e tij, duke e pranuar faktin se synimi i të gjithëve tek Interi është të sigurojnë ‘Scudetto’-n. Numri 1 i stolit të zikaltërve e pranon se konkurenca në ‘Serie A’ është shumë e fortë, por gjithësesi mendon se ekipi i tij ka diçka më shumë dhe është detyra e tij shpalosë maksimumin e potencialit të lojtarëve. Për këtë, ai thotë se duhet një punë e kujdesshme gjatë fazës përgatitore dhe në Japoni, Inzaghi thotë se ka gjetur ambjentin e duhur për të punuar me ekipin edhe në aspektin psikologjik. Ndonëse ylli i dytë në fanellë është një mision i rëndësishëm për klubin milanez, ecuria e mirë në Europë mbetet e domosdoshme. Pas mbërritën në finalen e ‘Champions League’-ës në edicionin e kaluar, Inzaghi u shpreh se tifozët presin shumë prej skuadrës së tyre, për të bërë një tjetër rrugëtim të madh, këtë herë me eksperiencën e duhur për t’i menaxhuar edhe më mirë situatat që mund hasin. Ndonëse tekniku 47-vjeçar e pranoi se të luftosh njëkohësisht në dy fronte kaq të ndërlikuar si ‘Serie A’ dhe ‘Champions League’ është një mision i vështirë, që kërkon përkushtim maksimal dhe një formë fizike të përkryer. Për këtë, Inzaghi thotë se ai e drejtuesit po punojnë që të kompletojnë ekipin me emrat e duhur në merkato, për të garantuar një stol po aq të fortë sa edhe formacioni titullar. Në turin japonez, Inzaghi do të ketë kohën e duhur për të punuar me të gjithë lojtarët në veçanti, teksa në program janë dy ndeshje miqësore për t’u luajtur, ndaj Al Nassr dhe Paris SG.