Luis Figo mbetet një nga figurat më të dashura të tifozëve të Interit, për hir të së kaluarës së portugezit në radhët e zikaltërve. Fjalët e tij në lidhje me Interin gjithnjë janë parë të rëndësishme dhe së fundmi, portugezi ka tërhequr vëmendjen në një intervistë ekskluzive për ‘Gazzetta dello Sport’. Figo ka analizuar sezonin e lojtarëve të Simone Inzaghi-t, duke mos i kursyer elozhet për ta. Sipas tij, Interi ka talente të rëndësishme në sulm, por për të, mbrojtja është pika më e fortë që kanë kampionët në fuqi të Italisë. Pikërisht këtu duhet të përqëndrohet edhe loja e tyre ndaj Barcelonës, sipas Figos, pasi i kanë kapacitetet për të kaluar ‘blaugranat’. Për të, Interi është favorit ndaj Barçës, por jo për të fituar ‘Champions League’-ën. Në këtë pyetje, ai mendon se Paris SG për momentin duhet të shihet si skuadra më e kuotuar për të ngritur lart trofeun në fund. Francezët, pavarësisht një nisjeje të dobët të rrugëtimit të tyre në elitën e futbollit europian, ia dolën të përmbysnin situatën, duke u shfaqur me lojë të bukur. Për më tepër, Figo vlerëson aspektin fizik e psikologjik të ekipit të Luis Enrique-s, në një moment kaq delikat për sezonin e tyre e jo vetëm. Megjithatë, nisur nga eksperienca e tij si lojtar, Figo u shpreh se skuadrat që kanë mbërritur deri në gjysmëfinale, i kanë të gjitha kushtet për të kompletuar rrugëtimin e tyre, çfarë sipas tij, i jep Interit të drejtën të mendojë për të realizuar gjëra të mëdha në këtë sezon.
