Pas duelit për të siguruar shërbimet e Gleison Bremer, Inter dhe Juventus kanë nisur një tjetër betejë në merkato, sërish për një qendërmbrojtës. Bëhet fjalë për Nikola Milenkovic të Fiorentinës, që është kthyer në objektivin kryesor të zikaltërve sa i përket mbrojtjes, pasi dolën duarbosh nga javë të tëra tratativa për Bremer. Ndërsa Juventusi kërkon të blindojë repartin e prapavijës dhe mbërritja e mundshme e Milenkovic do të thoshte se për trajnerin Allegri nuk do të ketë më justifikime.
Tek Fiorentina janë shprehur se dëshira e klubit është që mbrojtësi serb të vijojë të jetë pjesë e skuadrës, pasi është pjesë e projektit ambicioz të presidentit Commisso dhe trajnerin Italiano. Megjithatë, drejtori i ‘violëve’, Joe Barone, e ka pranuar se pavarësisht dëshirës së klubit për të vijuar bashkëpunimin me Milenkovic, është e vështirë që 24-vjeçari të qëndrojë, duke parë interesimin e lartë për të. Një tjetër faktor që shtyn Fiorentinën të shesë shtatlartin brenda kësaj vere, është edhe përfundimi i kontratës së lojtarit. Sipas marrëveshjes në fuqi mes palëve, Milenkovic do të vijojë të jetë pjesë e skuadrës nga Firence deri në qershorin e vitit të ardhshëm. Serbi ka hedhur poshtë mundësinë e rinovimit deri më tani, duke bërë që klube si Interi apo Juventusi të shtyjnë në tratativat për shërbimet e tij. Tek Interi nuk e mohojnë që Milenkovic është kthyer në një objektiv të rëndësishëm për merkaton, prandaj Marotta po shtyn të mbyllë një marrëveshje sa më shpejt, sidomos pas asaj që ndodhi me Bremer.
Zikaltërit gjithësesi po shqyrtojnë edhe mundësi të tjera, ku në fuqi mbeten emra si Merih Demiral apo Berat Gjimshiti, të dy pjesë e Atalantas.
Ndërsa tek Juventusi nuk po nxitojnë në bisedimet për Milenkovic. Bardhezinjtë kanë luksin të veprojnë më me qetësi pas mbërritjes së Bremer, por një nga arsyet se pse këmbëngulin për serbin e Fiorentinës, është fakti që ai ka hyrë në vitin e fundit të kontratës. 24-vjeçari do të vinte me një kosto të ulët në Torino dhe bardhezinjtë mund të përfitonin jo pak në të ardhmen me shitjen e mundshme të tij, pasi shihet si një lojtar me mjaft perspektivë.