Denzel Dumfries është kthyer në emrin më të përfolur të merkatos së Interit gjatë këtij muaji korrik. Anësori holandez duket se ka fituar vlerësime të rëndësishme nga klubet e mëdha europiane për shkak të vazhdimësisë së shfaqur prej tij në fushën e lojës, duke qenë një lojtar kyç i Interit. Ai e mbylli sezonin me 47 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet, duke qenë protagonist edhe me 11 gola e 6 asiste. Ditë më parë raportohej se Barcelona po e studionte me kujdes situatën e holandezit, i cili ka në kontratën e tij me Interin një klauzolë që e lejon të largohet nga zikaltërit për 25 milionë euro. Por kjo klauzolë, është e vlefshme deri në datën 15 korrik, pasi përtej saj, Interi ka të drejtën të thotë pretendimet e veta për kartonin e Dumfries. Por veç Barcelonës, për holandezin po shfaq interes së fundmi edhe Manchester City. Pasi transferuan Tijjani Reijnders nga Milani, ‘cityzens’ kanë ‘hedhur sytë’ tashmë nga ana tjetër e qytetit, ku Dumfries shihet si elementi i duhur për të marrë vendin e lënë bosh në skuadër nga Kyle Ëalker. Ky i fundit, pasi luajti si i huazuar tek Milani, u rikthye në Angli, ku firmosi me skuadrën e Burnley. Kështu, ditët në vijim do të jenë mjaft të rëndësishme për të ardhmen e Denzel Dumfries, pasi klauzola prej 25 milionë eurosh për kartonin e tij, nuk është një shifër që mund të trembë klube si Manchester City. Ndërkohë Barcelona mbetet po ashtu e gatshme për të bërë këtë investim, por katalanasit duhet që fillimisht të konfirmojnë një largim dhe me kohën që kalon, mund të mos përfitojnë nga klauzola e lojtarit. Interi në anën tjetër ka nisur punën për të mos u zënë në befasi. Zikaltërit po mendojnë për zëvendësuesin e Dumfries dhe nga ajo që raportojnë mediat italiane, emri i përzgjedhur është ai i Dood tek Fiorentina.
