Serie A, Inter drejt firmës me Samardzic; vijon puna për gjetjen e një sulmuesi

Sport

Pavarësisht se firmosën me një lojtar mjaft premtues si Davide Frattesi, tek Interi kanë shtuar përpjekjet për të firmosur me një tjetër mesfushor, si një kërkesë e trajnerit Simone Inzaghi. Numri 1 i stolit kërkon një mesfushor me tipare sulmuese dhe Ausilio e Marotta kanë gjetur profilin e duhur tek Lazar Samardzic. I konsideruar si një nga talentet më premtues në ‘Serie A’ për momentin, 21-vjeçari shihet si lëvizja e duhur në këtë merkato verore, teksa në marrëveshjen me Udinese-n, është përfshirë edhe kartoni i talentit të Interit, Fabbian. Për këtë të fundit, klubi zikaltër do të kenë mundësinë e riblerjes, nëse paguhet një klauzolë fikse. Samardzic, i lindur në Gjermani, por që përfaqëson Serbinë, do të jetë një alternativë më shumë për trajnerin Inzaghi, pasi lojtari mund të luajë në pozicione të ndryshme dhe mund të jetë i rëndësishëm në manovrën sulmuese. Tek Udinese, gjatë edicionit të shkuar, Samardzic shënoi 5 gola e shërbeu 4 asiste, teksa jo gjithmonë ka patur besimin e duhur për ta nisur si titullar. Ai u transferua tek friulanët nga Leipzig për 3 milionë euro në verën e 2021-shit, ndërkohë që vlera e tij tashmë e ka kaluar shifrën e 20 milionë eurove.

Veç Samardzic, tek Interi po vijojnë punën edhe për afrimin e një sulmuesi, që për momentin shihet si reparti më problematik, pas largimeve të Dzeko-s dhe Lukaku-t. Folarin Balogun i Arsenal-it mbetet një nga të preferuarit për Ausilio-n dhe Marotta-n, por pretendimet e klubit anglez janë shumë të larta. Po ashtu vijojnë të mbeten në konsideratë edhe emra si Alvaro Morata apo Beto i Udinese-s. Së fundmi, mediat italiane raportojnë se ka patur kontakte edhe me Gianluca Scamacca-n, që pas një viti në Angli, kërkon të rikthehet në ‘Serie A’. Nuk përjashtohet edhe kandidatura e Alexis Sanchez, që për momentin ka mbetur pa skuadër. Por rikthimi i kilenit do të ndodhte vetëm nëse largohet Joaquin Correa, i cili prej kohësh është në bisedime me Galatasaray-n.