Serie A, Inter dhe Napoli ‘falin’ njëri-tjetrin; titulli vendoset në javën e fundit

Sport

Java e 37 në ‘Serie A’ pritej të ishte më shumë se sa thjesht vendimtare për rrugëtimin e shumë skuadrave, si ato për objektivin titull, edhe për ato që synojnë ‘Champions League’-ën në sezonin e ardhshëm apo mbijetesën në elitën e futbollit italian.

Napoli vinte me një pikë avantazh ndaj Interit të vendit të dytë dhe teksa luanin në transfertë ndaj Parmës, shiheshin të avantazhuar për të marrë një fitore. Për të dytën ndeshje radhazi, napoletanët tregojnë se nuk arrijnë të japin më të mirën nën presion, pasi nuk shkuan më larg se sa një barazim 0-0. Në minutën e 33, Anguissa dhuroi spektakël me lëvizjet e tij, por pa diagonalen e lëshuar me të majtën të ndalej në shtyllë. Sërish shtylla do të vinte në ndihmë të Parmës në minutën 57, kur tentativa e Politanos ndalej në tranversë, njësoj si goditje e Scott McTominay në të 70-ën minutë. Pavarësisht përpjekjeve të shtuara në minutat e fundit, skuadra e Antonio Conte-s nuk ia doli të zhbllokonte shifrat, duke bërë që të shihnin me ankth atë se çfarë ndodhte paralelisht në ‘San Siro’.

Interi kërkonte maksimumin ndaj lacialëve të Marco Baroni-t, që nga ana tjetër vinte me objektivin e vendit të katërt në mendje. Skuadrat u shfaqën mjaft të kujdesshme dhe të rezervuara në pjesën e parë, teksa rasti më flagrant u regjistrua në minutën e 42-të, kur Bolaye Dia vertikalizoi në mënyrën të shkëlqyer për Gustav Isaksen, i cili i vetëm përballë portierit Sommer, pa goditjen e tij të ndalej në trupine e veteranit zviceran. Pikërisht atëherë kur pjesa e parë u duk se do të mbyllej në barazim, një top i mbetur mes kaosit në zonën e Lazio-s, do të shfrytëzohej nga shtatlarti gjerman, Yan Bisseck. I gjendur në vendin e duhur dhe në momentin e duhur, mbrojtësi 24-vjeçar kaloi në avantazh Interin, në atë që ishte goli i tij i tretë në këtë sezon. Në pjesën e dytë, ishte Pedro Rodriguez, që i ardhur nga stoli, solli barazpeshën për Lazio-n. Interi u kundërpërgjigj me Denzel Dumfries, derisa në minutën e 89, sistemi VAR ndërhyri për një prekje me dorë të topit nga ana e Bisseck. Sërish Pedro Rodriguez mori përsipër të rivendoste barazimin, duke mposhtur nga pika e bardhë e penalltisë, për të dytën herë, portierin Sommer. Veterani spanjoll i Lazio-s, numëron tani plot 9 gola të shënuar si i ardhur nga stoli, duke qenë i dyti në historinë e ‘Serie A’, pas Luis Muriel, i cili pati shënuar 11 gola si i ardhur nga stoli me fanellën e Atalanta-s, në sezonin 2019/2020.