Skuadra e Interit shihej që përpara nisjes së sezonit të ri si favoriti për të shkuar sërish tek titulli kampion në Itali. Zikaltërit kanë përforcuar të gjithë zërat e atyre që e shohin ekipin e trajnerit Inzaghi si forcën kryesore në ‘Serie A’, ndonëse deri më tani, pas 7 javësh, renditja udhëhiqet nga Napoli me 16 pikë, vetëm 2 më shumë se sa milanezët. Por në një aspekt tjetër të futbollit italian, Interi e ka fituar një titull, atë si klubi me pagat më të larta. Ndryshe nga ajo që shpesh është folur nëpër media rreth situatës financiare të Interit, zikaltërit garatontojnë fuqinë e tyre ekonomike me anë të pagave më të larta të futbolistëve të Inzaghi-t. Duke iu referuar raportit të bërë publik nga ‘Corriere Dello Sport’, kampionët në fuqi të Italisë shpenzojnë rreth 141,7 milionë euro bruto në vit, vetëm për pagat e skuadrës, duke marrë për herë të parë kreun e kësaj renditjeje të veçantë që nga sezoni 2012/2013, ku në vite me radhë, klubi që ka dominuar ka qenë Juventusi. Pikërisht bardhezinjtë mbajnë vendin e dytë, me një shumë prej 113,8 milionë euro shpenzimë për pagat në vit. Milani ndjek në vendin e tretë me 96,6 milionë euro, e më pas vijnë në distancë të vogël nga njëra-tjetra, Roma e Napoli. Sa i përket skuadrave që shpenzojnë më pak në këtë aspekt, Lecce nuk i tejkalon 20 milionë eurot në vit për pagat e futbollistëve, teksa Empoli dhe Verona nuk shkojnë përtej 21 milionë eurove. Como, një nga skuadrat e saporikthyera në elitën e futbollit italian, mban vendin e 10, me diçka më tepër se 35 milionë euro shpenzime.
Inter është shquar shpesh për merkaton e zgjuar dhe pa shumë shpenzime në vitet e fundit, duke afruar edhe lojtarë të rëndësishëm me parametra zero. Marotta gjithësesi u ka siguruar këtyre lojtarëve paga të larta, për t’i bindur të jenë pjesë e një projekti, që deri më tani po rezulton të jetë mëse i suksesshëm.