Shumë njerëz janë kuriozë të shohin se si do të shkojë aventura e Cristian Chivu si trajner i Interit. Rumuni do të ketë një detyrë të vështirë për të mbajtur kompetitive një skuadër që prej vitesh ka patur një qasje ndryshe në fushën e blertë, për shkak të trajnerit Simone Inzaghi. Chivu e ka pranuar se kërkon një lojë sulmuese e me presing të lartë dhe është i lumtur që ka gjetur reagimin e duhur nga ekipit ndaj kërkesave të tij. Së fundmi, Interi fitoi me penallti në miqësoren ndaj Monza-s, të mbyllur 2-2 dhe tekniku foli hapur rreth përgatitjes së skuadrës dhe ovjektivave të sezonit të ri.
“Jam përpjekur të përcjell përgjegjësi dhe dëshirë. Dua që lojtarët të japin më të mirën e tyre çdo ditë. Kam parë përkushtim dhe motivim nga secili, prandaj mund të them se jam i lumtur nga përgatitjet e bëra deri më tani.”
Gjithësesi, Chivu është i bindur se ekipi ka akoma më shumë potencial për të treguar, sidomos ata lojtarë që mund të bëjnë diferencën. 44-vjeçari theksoi se tek një klub si Interi, pritet maksimumi në të gjitha kompeticionet kur marrin pjesë, prandaj askush nuk duhet të surprizohet nga angazhimi dhe dëshira që do të shfaqin në fushën e lojës. Kampionati italian sipas tij mbetet mjaft i komplikuar për t’u parashikuar, por është i sigurtë se Interi i ka të gjitha shanset për të arritur tek titulli. Chivu e mbylli duke thënë se për të arritur tek objektiva të tillë, duhet kontributi nga të gjithë lojtarët, prandaj ai po përpiqet t’i mbajë të gjithë të angazhuar gjatë fazës përgatitore. Të njëjtën gjë, tekniku u shpreh se synon ta bëjë edhe përgjatë sezonit, ku të gjithë sipas tij do të kenë mundësitë e veta.