Serie A, Inter, Calhanoglu si De Bruyne e Modric; kërkon Milanin në ‘Champions’

Sport

Hakan Calhanoglu është padyshim një nga lojtarët më të rëndësishëm për trajnerin Simone Inzaghi të Interit. Fantazisti turk ka bërë paraqitje mjaft të mira në radhëte zikaltërve në këtë sezon, duke përmirësuar  madje ndjeshëm edhe lojën e tij në fazën mbrojtëse. Në një intervistë të gjatë për mediat italiane, Calhanoglu është rrëfyer rreth sezonit të tij dhe objektivave të së ardhmes, teksa u shpreh si ndihet i nënvlerësuar për atë se çfarë jep në fushë. 29-vjeçari nuk ngurroi të krahasonte veten me emra si Kevin De Bruyne apo Luka Modric, duke thënë se është në të njëjtin nivel me ta dhe një nga pesë më të mirët në rolin e tij në gjithë Europën. Fantazisti foli edhe për ecurinë fantastike të Napolit, duke i dhënë meritat e duhura ekipit të Spalletti-t, edhe pse vetë lojtari i Interit fajëson veten dhe shokët e tij të skuadrës për distancën e krijuar në renditje. Sipas tij, Interi i ka të gjithë kapacitetet për të qenë në luftën për titull, por u ka munguar fati në disa ndeshje delikate si ndaj Monza, Empoli, Sampdoria e Bologna.

Në lidhje me të ardhmen e tij, mediat italiane kanë folur së fundmi për një përpjekje të drejtuesve të Interit për të rinovuar kontratën me 29-vjeçarin. Calhanoglu u shpreh se ndihet shumë krenar që klubi kërkon të zgjasë bashkëpunimin dhe ai është i lumtur të vijojë qëndrimin në Milano, pavarësisht disa propozimeve interesante nga Anglia. Në fund, turku u ndal edhe tek përplasjet me ish-klubin e tij, Milanin. Që pas largimit të tij nga kuqezinjtë, marrëdhënia me tifozët ka qenë shumë e tensionuar. Tani Calhanoglu shpreson që të dyja skuadrat të kalojnë 1/8-at në ‘Champions League’ këtë sezon, me shpresën që në raundin e ardhshëm, shorti të rezervojë një derbi të Milanos.