E ardhmja e Hakan Calhanoglu duket se do të jetë në Stamboll. E vetmja pasiguri për mesfushorin, është se cilat ngjyra do të veshë. Për 31-vjeçarin këmbëngul prej kohësh skuadra e Galatasaray-t, që tashmë mund të përballet me një surprizë aspak të këndshme për ta. Rivalët e përjetshëm të Fenerbahce kanë bërë hapa konkretë për të firmosur me lojtarin, ndonëse ende nuk kanë një marrëveshje paraprake. Tek Interi, shumë janë të acaruar me situatën e krijuar nga Calhanoglu, apo edhe me përplasjet verbale mes lojtarëve, prandaj drejtuesit kanë vendosur ta largojnë mesfushorin turk gjatë kësaj vere. Pretendimet për kartonin e tij shkojnë në 30 milionë euro, ndërkohë që Fenerbahce, ndryshe nga Galatasaray, është gati të bëjë një propozim fillestar prej 20 milionë eurosh. Kjo mund të hapë bisedimet konkrete mes klubeve për të gjetur një akord, ndërkohë që për vetë Calhanoglu, skuadra e drejtuar nga Jose Mourinho ka gati një kontratë 3-vjeçare, ku mesfushori do të përfitojë plot 6 milionë euro në sezon, pa llogaritur këtu bonuset. Këto janë shifra të kënaqshme për pretendimet e lojtarit, që mund të lërë në ‘baltë’ Galatasaray-n për t’u transferuar tek rivalët e tyre. Tensionet në lidhje më këtë situatë po rriten çdo ditë e më shumë dhe kjo javë mund të jetë vendimtare sa i përket çështjes ‘Calhanoglu’.
Mesfushori turk u bë pjesë e Interit në verën e 2021-shit, kur u tranferua me parametra zero, si për ironi të situatës aktuale, nga rivalët e përjetshëm të Milanit. Në 182 ndeshje të luajtura me Interin, Calhanoglu ka regjistruar 38 gola e 32 asiste, duke qenë një element kyç në projektin zikaltër.