E ardhmja e Hakan Calhanoglu tek Interi mbetet në dyshim. Mesfushori shihet gjithnjë e më pranë largimit, pas këmbënguljes që po shfaq skuadra e Galatasaray-t për të nënshkruar me të gjatë kësaj merkatoje verore. Pas ofertës fillestare prej 15 milionë eurosh, kampionët e Turqisë morën një refuzim nga ana e Interit. Mediat zbulojnë se oferta është rritur deri në 20 milionë euro, një shifër që mbetet larg kërkesës prej 35 milionë eurosh të zikaltërve, që gjithësesi, kanë lënë të hapur mundësinë e bisedimeve të mëtejshme. Me klubet që duken optimistë për të gjetur një akord, shumë gjëra duket se do jenë në dorën e vetë Calhanoglu. Nëse 31-vjeçari do pranojë një kalim drejt Stambollit, atëherë Interi mund të jetë i detyruar të ulë disi pretendimet. Vetë mesfushori ende nuk e ka dhënë përgjigjen e tij finale, por tek Galatasaray i është premtuar një rol kyç në skuadër. Në aspektin financiar, kampionët e Turqisë janë gati t’i ofrojnë një pagë prej 10 milionë eurosh në vit, që mund të bindin Calhanoglu të pranojë këtë transferim. Calhanoglu mbetet i përqëndruar tek botërori i klubeve dhe si drejtuesit e Interit, edhe ata të Galatasaray-t, nuk kërkojnë të vendosin nën presion lojtarin për të vendosur sa më shpejt të ardhmen e tij. Në varësi të largimit ose jo të Calhanoglu, Interi po përgatitet për përforcimet e nevojshme në mesfushë. Adrian Bernabe i Parmës shihet si një element interesant nga drejtuesit e zikaltërt. Trajneri Chivu e njeh mirë nga koha e kaluar së bashku tek Parma dhe me marrëdhëniet e mira të krijuara pas bisedimeve për sulmuesin Bonny, afrimi i Bernabe shihet i realizueshëm. Një tjetër profil që po studiohet është edhe ai i Nicolo Rovella-s së Lazio-s, por këta të fundit nuk heqin dorë nga kartoni i mesfushorit, pa u paguar klauzola prej 50 milionë eurosh.
