Një nga problemet e Interit në këtë merkato verore mbetet afrimi i sulmuesve. Trajneri Inzaghi e ka bërë të qartë se ka nevojë për të paktën një transferim tjetër në sulm, edhe pse largimi i mundshëm i Correa-s mund të kërkojë të tjera përpjekje nga Ausilio dhe Marotta. Në ditët e fundit, është kthyer ‘në modë’ emri i Gianluca Scamacca-s, që është i hapur për një largim nga West Ham, pas vetëm një viti në klubin londinez. Duke iu referuar raportimeve të fundit, Inter-i flitet se ka bërë një ofertë zyrtare në drejtim të anglezëve për të bërë realitet rikthimin e sulmuesit në ‘Serie A’. Propozimi fillestar i zikaltërve nuk i kalon 22 milionë eurot, duke llogaritur këtu edhe bonuset. Por oferta është refuzuar menjëherë nga ana e drejtuesve të West Ham, që nuk kanë ndërmend ta lënë të lirë sulmuesin, pa arkëtuar të paktën 30 milionë euro nga shitja e tij. Gjithësesi, klubet janë në kontakte të vazhdueshme për të gjetjen e një marrëveshjeje, teksa ata të Inter-it janë të vetdijshëm se për kartonin e Scamacca-s interesohet prej kohësh edhe Roma. Klubi verdhekuq ka kërkuar një huazim të sulmuesit, me të drejtë blerje të kartonit të tij, që do të kthehej në detyrim vetëm nëse Roma do të siguronte kualifikimin për në ‘Champions League’ në sezonin e ardhshëm. Tek West Ham nuk janë të bindur me këtë formulë dhe do të pranonin huazimin e Scamacca-s, vetëm nëse Roma do përfshinte detyrimin e blerjes së kartonit të tij pas një sezoni, pa ndonjë kusht. Verdhekuqtë për momentin nuk kanë bërë hapa të tjerë në këto tratativa dhe kjo gjë favorizon Inter-in, që është gati të paguajë që tani për kartonin e sulmuesit, çfarë është edhe në interesin e West Ham. Ndonëse duket e vështirë që zikaltërit të paguajnë mbi 30 milionë euro për 24-vjeçarin, gjetja e ‘gjuhe të përbashkët’ mes palëve nuk është një mision i pamundur. Scamacca nuk konsiderohet objektivi kryesor për sulmin tek Inter-i, por tratativat për të shihen më të realizueshme se sa ato për Folarin Balogun të Arsenal-it. Për këtë të fundit pretendohen më shumë se 40 milionë euro, kërkesë që për Ausilio-n dhe Marotta-n duket e tepruar., por që gjithësesi nuk e përjashtojnë mundësinë e një sforcoje ekonomike për ta transferuar 22-vjeçarin në Milano.