Serie A, Inter bën ofertën e parë për Dybala; argjentinasi nuk tërhiqet nga kërkesat e tij

Sport

Pas javësh të tëra spekulime, Interi më në fund ka bërë një lëvizje konkrete në drejtim të Paulo Dybala-s, i cili nga 1 korriku do të jetë një lojtar i lirë. Klubi milanez ka paraqitur një ofertë zyrtare tek përfaqësuesit e fantazistit argjentinas, i cili nuk ka ndërmend të tërhiqet nga kërkesat e tij financiare. Dybala kërkon një pagë prej të paktën 10 milionë eurosh në sezon, diçka që Inter, njësoj si Juventus,  nuk mund t’ja garantojë lojtarit.

Oferta fillestare e zikaltërve ka një kohëzgjatje prej 4 sezonesh, ku Dybala do të paguhet 6 milionë euro në sezon, pa llogaritur këtu bonuset. Marotta e kërkon me ngulm argjentinasin në radhët e Interit dhe po përpiqet të shfrytëzojë marrëdhënien e mirë që ka me agjentët e Dybala-s, për të gjetur një marrëveshjes të pranueshme për të dyja palët. Zikaltërit janë të vetëdijshëm se oferta fillestare e tyre nuk do të pranohen, prandaj aludohet se më vonë, argjentinasi do të marrë një propozim me të paktën 8 milionë euro në sezon. Edhe pse ende nuk ka një marrëvehje dhe palët janë në distancë të konsiderueshme sa i përket termave financiar, tek Interi janë të bindur se shumë shpejt mund të gjejnë një marrëveshje me Dybala-n, i cili do të përforconte ndjeshëm repartin e sulmit për trajnerin Simone Inzaghi. Edhe pse sezonin që lamë pas, Dybala ka qenë i kushtëzuar nga dëmtimet e shpeshta, argjentinasi ka bërë detyrën e tij me 15 gola e 6 asiste në 39 ndeshje të luajtura me fanellën e Juventusit. Ai ka qenë pjesë e torinezëve që nga vera e vitit 2015, kur u ble nga Palermo për 41 milionë euro, ndërkohë që vlera e tij në treg llogaritet të jetë të paktën 35 milionë.