Serie A, Inter, Bastoni i sakrifikuari në merkato; veç Dybala, sytë edhe nga Mkhitaryan

Sport

Edhe pse nuk ia dolën të mbronin titullin kampion në ‘Serie A’, që e humbën vetëm në javën e fundit ndaj rivalëve të Milanit, tek Interi mund të dalin me kokën lart nga ky sezon, pasi fituan ‘SuperKupën’ dhe ‘Kupën e Italisë’. Këtë sezon, zikaltërit ia dolën po ashtu të thyenin një rekord negativ në ‘Champions League’, duke kaluar fazën e grupeve pas disa vitesh përpjekje.

Kjo do të sjellë disa të ardhura të konsiderueshme në arkat e klubit, por që gjithësesi, nuk i zgjidh telashet financiare për ta. Prej kohësh, në mediat italiane qarkullojnë lajme se pronarët e Interit po përpiqen të gjejnë blerës për klubin, pikërisht për arsye të problemeve me borxhet. Kjo do të ndikojë edhe në merkato, ku disa emra mund të sakrifikohen për t’i sjellë fitime klubit.

Ndër të parët që mund të largohet nga Milano duket se do të jetë Alessandro Bastoni. Edhe pse është një talent me shumë perspektivë dhe që pëlqehet jo pak nga tifozët dhe trajneri Inzaghi, Bastoni është edhe një lojtar që ka nxitur interesimin e jo pak skuadrave për të. Interi synon të përfitojë jo pak nga shitja e tij, që thuhet se mund të ketë si destinacion Anglinë. Sa i përket merkatos në hyrje, klubi zikaltër nuk ka ndërmend të bëjë çmendurira. Paulo Dybala duket të jetë gjithnjë e më pranë firmës me ta si lojtar i lirë, duke shfrytëzuar edhe marrëdhëniet e mira të fantazistit argjentinas me drejtorin e Interit, Beppe Marotta. Veç tij, në skenë tashmë del edhe Henrikh Mkhitaryan.

Edhe pse tashmë 33-vjeçar, mesfushori nga Armenia ka bërë paraqitje shumë të mira në radhët e Romës përgjatë sezonit që po lëmë pas. Për më tepër, njësoj si Dybala, Mkhitaryan i skadon kontrata në qershor dhe transferimi i tij nuk do t’i kushtonte shumë arkave të Interit, prandaj një lëvizje e tillë po merret seriozisht në konsideratë nga Marotta dhe Zanetti.