E ardhmja e Kristjan Asllanit është ende e paqartë. Mesfushori shqiptar ka parë disa skuadra të shfaqin interes për shërbimet e tij, por deri më tani, nuk ka patur asgjë konkrete. Së fundmi, Real Betis u përfol se gjeti një akord verbal me drejtuesit e Interit për kartonin e Asllanit, por ka qenë vetë lojtari që e ka refuzuar kalimin e mundshëm në Spanjë. 23-vjeçari dëshiron që të vijojë të qëndrojë në Itali, edhe nëse largohet nga Interi, për shkak të familjes. Bologna dhe Fiorentina janë parë si alternativa të mundshme, por deri më tani nuk ka patur asnjë akord që përkon me kërkesat e Interit. Oferta e Bologna-s është për momentin larg pretendimit të Interit, që shkon nga 18 deri në 20 milionë euro. Edhe për Fiorentinën, ky çmim mbetet disi i lartë, por nuk përjashtohet mundësia e përfshirjes së kartonit të ndonjë lojtari tjetër, për të ulur kostot e operacionit.Asllani pritet të ketë një takim me drejtuesit e klubit për të qartësuar situatën, por mesa duket, shitja e tij do të sjellë financa të rëndësishme për merkaton zikaltër. Paratë që do të fitohen nga mesfushori shqiptar, do të përdoren në një nga operacionet ‘Lookman’ ose ‘Leoni’. Atalanta refuzoi ofertën prej 40 milionë eurosh nga Interi, duke pretenduar për kartonin e sulmuesit nigerian edhe 10 milionë euro tjera. Lookman e ka bërë të qartë se dëshira e tij është të bashkohet me Interin dhe në Itali e mendojnë si çështje kohe kalimin e nigerianit nën urdhërat e trajnerit Chivu. Ndërkohë që për Leonin duhet nxituar, pasi talenti 18-vjeçar i Parmës ka shumë skuadra që kërkojnë ta transferojnë. Kështu, pa zgjidhur fillimisht çështjen e largimeve, tek Interi nuk duhet të nxitojnë me blerjet. Veç Asllanit, në listën e largimeve janë edhe emra si Mehdi Taremi, Buchanan dhe Tomas Palacios, ndonëse deri më tani duket e vështirë që të përmbushen të gjitha kërkesat e skuadrës zikaltër.
