Serie A, Inter; agjenti i Calhanoglu mbyll diskutimet; mesfushori mbetet në Milano

Sport

Çështja ‘Calhanolgu’ ka qenë kryefjala e kësaj vere deri më tani për skuadrën e Interit. Mesfushori turk flitej se kishte kërkuar largimin drejt Turqisë, ku Galatasaray supozohet se i kishte premtuar një kontratë të rëndësishme për të paktën 3 sezone. Më vonë, në skenë doli edhe Fenerbahce, që u fol se bëri hapa konkretë për transferimin e 31-vjeçarit, por mesa duket edhe ky skenar nuk do të realizohet. Agjenti i lojtarit, Gordon Stipic ka konfuzuar akoma më shumë situatën, duke u shprehur përpara mediave se Calhanoglu nuk do të transferohet drejt Turqisë. Madje ai shkoi më tej, duke u shfaqur i sigurtë se mesfushori do të vijojë të qëndrojë tek Interi, pasi është shumë i lumtur në Milano.

Duke qenë se mes disa lojtarëve, me në krye Lautaro Martinez dhe Hakan Calhanoglu ka patur disa replika në distancë për situatën e krijuar në merkato, tani mbetet për t’u parë si do të vijojë ‘telenovela’ në kampin zikaltër. Calhanoglu kërkon të integrohet sërish në ekipin milanez dhe agjenti i tij konfirmoi se për këtë, do të kenë disa ballafaqime profesioniste me drejtuesit e klubit.

Pavarësisht fjalëve të thëna nga ana e Stipic, e ardhmja e Calhanoglu tek Interi nuk është e garantuar. Situata e merkatos së mesfushorit turk në javët e fundit thuhet se ka krijuar disa krisje në raportet brenda dhomave të zhveshjes. Për më tepër, kontrata e tij me Interin skadon në qershorin e 2027-ës dhe duke parë se një rinovim i kontratës së tij nuk merret si alternativë, atëherë nuk do të kërkonin të ndërlikonin më shumë çështjen e kostove të largimit të mundshëm të 31-vjeçarit.