Koha e Alberto Gilardino-s tek Genoa tashmë ka përfunduar. Durimi i drejtuesve të klubit ligurian për të ndryshuar fatet e sezonit të tyre është sosur, duke vendosur në largimin e teknikut Gilardino, i cili kishte një marrëveshje që supozohet ta mbante në krye të Genoa-s, të paktën deri në qershorin e vitit 2026. Kuqeblutë mbajnë aktualisht vendin e 17 në renditjen e ‘Serie A’, me 10 pikë të grumbulluara, vetëm 2 më shumë se sa vendi i fundit që mbahet nga Venezia. Në 12 javë të luajtura në kampionat, Gilardino kishte siguruar vetëm 2 fitore me skuadrën e tij, teksa pozitave të tij, i dha një goditje të fortë edhe eleminimi i hershëm nga ‘Kupa e Italisë’, ku u mposhtën në derbin e qytetit nga Sampdoria, që aktualisht luan në ‘Serie B’. Ndërsa nga ajo që raportojnë mediat italiane, stoli i Genoa-s do t’i besohet një tjetër ish-futbollisti. Bëhet fjalë për francezin Patrick Vieira, i cili thuhet se ka mbështetjen e drejtuesve për të nisur punën tek klubi ligurian, ku të gjithë presin një ndryshim të situatës aktuale në renditje. Vieira vjen pas aventurës prej 1 sezoni në krye të skuadrës së Strasbourg në Francë, ku u largua në verën e kaluar, ndërkohë që me herët ka drejtuar edhe skuadra si Nice apo Crystral Palace. Në rast se do të konfirmohet zyrtarisht si trajneri i Genoa-s, kjo do të jetë detyra e tij e parë në ‘Serie A’, ku si lojtar ka luajtur me klube si Milan, Inter dhe Juventus. Kurse Alberto Gilardino mbyll kështu aventurën e tij tek klubi ligurian, ku e kishte nisur si trajneri i të rinjve në verën e 2022-shit. Në dhjetor të atij viti, 42-vjeçari mori detyrën si trajner i skuadrës së parë, duke bërë një punë të shkëlqyer në atë sezon, aq sa mori një rinovim të kontratës së tij, që mësa duket, nuk ishte e thënë t’i shkonte deri në fund. Gilardino drejtoi Genoa-n në 79 ndeshje, duke regjitruar një mesatare prej 1,5 pikësh të grumbulluara për ndeshje.