Serie A, Galliani i lumtur me Monza-n; gati kontrata e re me Palladino-n

Sport

Monza ka bërë një sezon përtej pritshmërive në ‘Serie A’ përgjatë 2022/2023-shit, duke siguruar njw pozicion mes 10 apo 11 më të mirëve në renditje, teksa besuan se mund të arrinin edhe tek një vend në zonën europiane. Puna e bërë tek debutuesit e elitës së futbollit italian ka marrë vlerësimë të mëdha në Itali e jo vetëm, me dyshen Berlusconi e Galliani që qëndrojnë pas gjithë këtij projekti. Pikërisht Galliani ka folur së fundmi rreth sezonit të zhvilluar nga Monza, duke u shfaqur mëse i lumtur me atë se çfarë ka arritur skuadra. Ish-administratori i Milanit nuk kërkoi të fliste për objektivat e sezonit të ardhshëm, duke u shprehur se tashmë është e rëndësishme që ekipi të mbyllë 2022/2023-shin në mënyrën e duhur, e më pas të bëjnë një analizë së bashku me trajnerin, rreth gjërave që mund të përmirësojnë. Pikërisht tekniku i Monza-s është përfolur shumë për merkaton e verës. Palladino ka bërë një punë mjaft të mirë në drejtimin e Monza-s, duke bërë që jo pak skuadra të mëdha të interesohen për shërbimet e tij. Galliani gjithësesi kërkon të qetësojë të gjithë tifozët e Monza-s, duke u shprehur se ka një akord në parim me trajnerin Palladino, për një rinovim të kontratës. Madje Galliani është i bindur se firma e teknikut 39-vjeçar do të vijë brenda të hënës së ardhshme, kur do të nisin edhe bisedimet për objektivat e merkatos. Në Itali flitet shumë për një transferim të Zlatan Ibrahimovic tek Monza, gjë që Galliani nuk e ka mohuar, por deri më tani sipas tij, nuk ka asgjë konkrete. Në fund të intervistës së tij, ish-administratori i Milanit u ndal edhe tek Paolo Maldini dhe puna që ai po bën tek kuqezinjtë si drejtues. Galliani u shpreh se historia e familjes Maldini tek Milani është diçka e pabesueshme dhe se nuk ka patur dyshime se Paolo, do të ishte jashtë fushe po aq i zoti sa në kohën kur luante ende me 7 herë kampionët e Europës.