Prej dy vitesh, Davide Frattesi është një ndër mesfushorët italianë më të përfolur në merkato, me 23-vjeçarin që vazhdon të bëjë në mënyrë të vazhdueshme paraqitje të mira me fanellën e Sassuolo-s. Mirëpo këtë verë, gjasat janë që Frattesi të ndryshojë ambient, teksa vetë lojtari ka folur rreth të ardhmes së tij duke folur nga grumbullimi me kombëtaren italiane. Sipas tij, është një moment i rëndësishëm për të vendosur se ku do të bëjë hapin e radhës, pasi kërkon të vazhdojë të rritet si lojtarë e të luajë në nivelet më të rëndësishme. Frattesi nuk zbuloi se nga cilat skuadra ka marrë një ofertë konkrete, por mesfushori shprehu dëshirën se kërkon të vijojë të luajë në ‘Serie A’. Interi është përfolur si një nga skuadrat që prej kohësh ka shfaqur interes për shërbimet e Frattesi-t dhe mesfushori u duk se dha një sinjal për zikaltërit, duke u shprehur se Nicolo Barella është një nga lojtarët që ai e merr si model për lojën e tij në fushën e blertë. Ndërkohë që deklarata e 23-vjeçarit se kërkon të mbetet në kampionatin italian, ka vënë në lëvizje dhe skuadra të tjera të mëdha nga ‘Serie A’. Veç Interit, tani në lojë janë futur edhe Milani, Roma apo Juventusi, teksa Sassuolo është gati të hapë një ankand për të lejuar largimin e Frattesi-t. Situata do të fillojë të qartësohet vetëm pas mesfushori të ketë mbyllur ndeshjet me përfaqësuesen e Italisë e pasi të ketë mbyllur pushimet. Për momentin, kërkesa e Sassuolo-s për kartonin e lojtarit shkon në 40 milionë euro, me Romën që zotëron ende 30% të kartonit të lojtarit, diçka që verdhekuqtë po përpiqen ta shfrytëzojnë. Por në anën tjetër, Frattesi kërkon të luajë në ‘Champions League’, prandaj skuadra si Interi apo Milani mbeten favorite.