Napoli fillon ngjitjen në Serie A. Në javën e 6-të, kampionët e Italisë, arritën një fitore me goleadë ndaj Udineses në shtëpi, me rezultatin 4-1. Zielinski dhe Osimhen shënuan në pjesën e parë, kurse Kvaratskhelia dhe Simeone në të dytën. Golin e vetëm të miqve e realizoi Samardziç, por që do të mbetet thjesht për statistikë.
Sigurisht që është ende për të thënë se Napoli i hodhi pas krahëve problemet, por patjatër që ky është një hap i rëndësishëm, diçka që e ka theksuar edhe trajneri Rudi Garcia, i cili është shprehur se reagimi i ekipit të tij, erdhi në momentin e duhur.
Fakti që Victor Osimhen, apo edhe Kvaratskhelia u rikthyen tek goli, tregon se të besuarit e trajnerit francez, mund të kenë hyrë në shina.
Një element tjetër që u dallua ishte dhe momenti i penalltisë në golin e parë. Pavarësisht se trajneri Garcia donte që Osimhen të ishte ekzekutuesi, ky i fundit ia dha shokut të skuadrës, Sielinski. Kjo tregon se skuadra është në vend të parë dhe përtej egove të gjithësecilit futbollist.
Megjithatë, e ardhmja e 24 vjeçarit mbetet ende në diskutim, sepse ngjarjet e fundit, nuk mund të jenë fshirë sa hap e mbyll sytë. Kontrata aktuale e sulmuesit është e vlefshme deri në verën e 2025-tës, ndërsa nga mediat përtej detit, nuk kanë munguar raportimet se mes klubit dhe futbollistit, mund të ketë një ndarje në merkaton e Janarit, diçka që gjithësesi mbetet për t’u konfirmuar.
Pas suksesit me Udinesen, Napoli është ngjitur përkohësisht në vendin e 5-të të kampionatit, me 5 pikë më pak sesa kryesuesit e Interit dhe të Milanit.