Roma e ka hedhur pas krahëve humbjen 4-0 në transfertën e Udineses dhe është kthyer menjëherë në rrugën e fitores. Një gjë të tillë, skuadra verdhekuqe e ka bërë në një tjetër transfertë, këtë herë në shtëpinë e Empolit, takim ky, i vlefshëm për javën e 6-të të Serie A.
Mes shumë përpjekjeve, të besuarit e Jose Mourinhos arritën të fitonin me rezultatin e ngushtë 2-1. 3 pikë mjaft të vuajtura, por sidoqoftë në futboll e rëndësishme është të marrësh rezultatin dhe këtë gjë kryeqytetasit italianë arritën ta konkretizonin me sukses.
I pari që hapi serinë e golave ishte Paulo Dybala në minutën e 17-të të sfidës. Argjentinasi ekzekutoi një të majtë perfektë nga distance, duke e dërguar topin në trekëndësh, e duke mos i dhënë asnjë mundësi portierit vendas për t’i kthyer udhën topit.
Që prej shtatorit të vitit 2012-të, atëherë kur debutoi në elitën e futbollit italian, Paulo Dybala ka shënuar më shumë gola nga jashtë zonës sesa çdo lojtarë tjetër në Serie A, plot 27-të. mëngjarashi vërteton edhe një herë tjetër se është një “ekspert” i gjuajtjeve nga jashtë zonës. Mbetemi në pjesën e parë, teksa në të 43-tën, Bandinelli barazoi përkohësisht shifrat për të zotët e shtëpisë.
Në pjesën e dytë, Dybala do të ishte sërish protagonist, duke asistuar me një passim perfekt për Tammy Abraha, me këtë të fundit që e kaloi topin pas krahëve të portierit vendas, Guglielmo.
Në fundin e takimit, Jose Mourinho i vlerësoi maksimalisht lojën e Empolit, por nga ana tjetër u shpreh mjaft i kënaqur edhe me lojën e lojtarëve të tij. Portugezi theksoi se me tepër se gjithçka tjetër, atij i pëlqeu dëshira e skuadrës për të marrë patjetër fitoren dhe lojtarët e arritën këtë gjë duke qenë të bashkuar drejt këtij synimi.
Ky triumf e klasifikon Romën në vendin e 5-të të kampionatit në kuotën e 13 pikëve, vetëm një më pak sesa Napoli kryesues. Javën e ardhshme, skuadra verdhekuqe pret Atanaltën në shtëpi. Nga ana tjetër, Empoli mbetet në vendin e 16-të me vetëm 4 pikë, teksa për ndeshjen e radhës do udhëtojë drejt Bolognas në transfertë.