Sukses për Atalantën dhe Juventusin në javën e 26 të Serie A. Bergamaskët arritën të fitonin me rezultatin e thellë 5-0 ndaj Empolit në trasnfertë, ku veç të tjerash, spikati performance e Ademola Lookman. Megjithëse, pas eliminimit në Champions League, u duk sikur pati një krisje marrëdhëniesh mes tij dhe trajnerint Gian Piero Gasperini, mesa duket, dyshja në fjalë, e ka hedhur gjithçka pas krahëve dhe kanë vendosur të vazhdojnë përpara.
Lookman arriti të shënonte dy prej golave të sfidës, duke shkuar kësisoj në kuotën e 11 golave vetëm në Serie A. Në këtë mënyrë, anësori i sulmit, është lojtari i vetëm i kampionatit italian, i cili ka mundur të shënojë të paktën 10 gola në secilin prej 3 sezoneve të fundit radhazi. Kjo statistikë, tregon më së miri një qëndrueshmëri në paraqitje të futbollistit nigerian.
Si pasojë e kësaj fitoreje, Atalanta është ka shkuar në kuotën e 54 pikëve në Serie A dhe ka blinduar vendin e tretë në renditje. Duke marrë parasysh që vend ii parë është vetëm 3 pikë larg, atëherë ekipi i drejtuar nga Gian Piero Gasperini mund të cilësohet tërësisht në garë për titullin kampion.
Sa i përket Juventusit, bardhezinjtë, tashmë janë bërë skuadra me ecurinë më të mirë në Serie A në 4 javët e fundit, duke marrë po kaq fitore. Ndonëse me vështirësi, torinezët ia dolën të triumfonin 1-0 në fushën e Cagliarit në javën e 26. Golin e vetëm për Zonjën e Vjetër e shënoi Dusan Vlahoviç. Tani, Juventusi ndodhet i vetëm në vendin e katërt me 49 pikë. Deri në fund kanë mbetur edhe 12 javë për t’u luajtur, por tani duhet thënë se skuadra e drejtuar nga Thiago Motta, e ka vetë në dorë pjesëmarrjen në Champions League për sezonin e ardhshëm futbollistik.