Serie A, Fiorentina si skuadra e momentit, violët tani ‘ëndërrojnë’ edhe ‘Champions’

Sport

Skuadra e Fiorentinës është një nga ekipet më argëtuese në këtë sezon të ‘Serie A’. Të udhëhequr nga trajnerin Vincenzo Italiano, ekipi violë është kthyer në një rrezik të madh për të gjithë kundërshtarët. Këtë e dëshmojnë edhe shifrat, që zbulojnë se projekti i nisur nga presidenti Rocco Commisso dhe partnerët e tij, për momentin po shkon edhe më mirë se sa ishte menduar. Në harkun kohor të një viti, Fiorentina është skuadra më e përmirësuar në të gjitha aspektet.

Në krahasim me një sezon më parë, violët këtë vit numërojnë plot 22 pikë më shumë, teksa kanë edhe një ndeshje më tepër për të luajtur. Faktorët që kanë ndikuar në këtë rritje të skuadrës janë shumë, por fillimisht, merita i shkon teknikut Vincenzo Italiano. Zgjedhja e 44-vjeçarit ka qenë lëvizja e duhur e drejtuesve të klubit nga Firenze, që i ka dhënë besim të plotë në rrugëtimin e këtij sezoni. Me Italianon, i cili deri në vitin e shkuar ishte trajneri i Spezia-s, Fiorentina ka shpalosur një lojë mjaft të bukur, dinamike dhe sulmuese. Deri në muajin janar, ishte një nga skuadrat që shënonte më shumë gola, ku thuajse 42% të realizimeve mbanin emrin e Dusan Vlahovic.

Largimi i këtij të fundit tek Juventus-i në merkaton dimërore, krijoi idenë se violët do të shfaqnin ulje të ritmit. Por nuk ka ndodhur kështu. Madje shifrat tregojnë se Fiorentina po luan edhe më mirë. Edhe pse numri mesatar i golave të shënuar është ulur në krahasim me pjesën e parë të sezonit, ekipi violë është përmirësuar në fazën mbrojtëse, ku pëson më pak, e për më tepër, grumbullon më shumë pikë se sa në fazën e parë. Kjo e fundit është sigurisht ajo që ka më shumë rëndësi. Fiorentina numëron 57 pikë të grumbulluara, çfarë e mbajnë në vendin e shtatë. Mirëpo violët kanë edhe një ndeshje më shumë për të luajtur, atë të prapambeturën e javës së 20 ndaj Udinese-s, që në rast se e fitojnë, do ta katapultonin në vendin e pestë, me vetëm 4 pikë distancë nga Juventus-i i vendit të katërt. Ngjan si një mision gati i pamundur, por tek Fiorentina, ëndrra e madhe është rikthimi në ‘Champions League’.

Në ndeshjet e mbetura të këtij sezoni, do të luajnë me skuadra si Milani apo Roma, ndërkohë që në ndeshjen e fundit, sfidon pikërisht në Firenze, Juventus-in e Allegri-t. Sido që të shkojnë gjërat, edhe nëse nuk e kapin fare zonën europiane, sezoni i Fiorentinës dhe i trajnerit Italiano meriton respekt dhe duartrokitje, njësoj si presidenti Rocco Commisso, që projektin e klubit ia ka besuar njerëzve të duhur.