Sofyan Amrabat dhe Nico Gonzalez me shumë gjasa do të largohen nga Fiorentina. Edhe nëse diçka e tillë nuk realizohet brenda merkatos së janarit, duke e sigurt që në sezonin e ardhshëm, ata të mos jenë më pjesë e violëve. Për të dy lojtarët janë disa skuadra që interesohen dhe mund të paraqesin së shpejti ofertat e tyre të para. Duke iu referuar raportimeve të mediave italiane, kuptohet se Leicester ka filluar të bëjë lëvizje konkrete për të dy lojtarët. Për Nico Gonzalez madje thuhet se do të vijë brenda pak ditësh një ofertë prej 30 milionë eurosh, që shihet si e kënaqshme për drejtuesit e Fiorentinës. Gonzalez arriti të fitonte vëmendje me paraqitjet e tij që në sezonin e kaluar, kur u bashkua me klubin violë për shifrën e 24 milionë eurove. Argjentinasi ka një kontratë deri në 2026-ën me Fiorentinën, por siç zbulohet, për momentin nuk flitet të ketë një klauzolë për largimin e tij.
Ndërsa për Amrabat, interes të fortë ka shfaqur prej kohësh Liverpool-i. ‘The reds’ mendohet të jenë favoritët për të firmosur me mesfushorin maroken, që bëri paraqitje të shkëlqyera me përfaqëuesen e tij në kampionatin botëror në Katar. Amrabat e ka shprehur dëshirën e tij për t’u larguar në një klub më të madh, por drejtuesit nuk e kanë pritur shumë mirë diçka të tillë, sidomos në mesin e sezonit. 26-vjeçari ka qëndruar në stol në ndeshjet e fundit të Fiorentinës, por trajneri Italiano e justifikoi si diçka të nevojshme për t’i dhënë pushim lojtarit. Veç Liverpool-it, edhe Tottenham-i është duke bërë përpjekjet e nevojshme për të firmosur me Amrabat, por deri më tani klubi nga Firenze po përpiqet t’u rezistojë ofertave.