Serie A, Fiorentina, Jovic e sheh klubin violë si trampolinë për t’u kthyer mes më të mirëve

Sport

Luka Jovic u konsiderua si një nga lëvizjet më të rëndësishme të merkatos së Fiorentinës, që e ka programuar serbin si sulmuesin kryesor të këtij sezoni. Mirëpo 24-vjeçari ende nuk ka dhënë atë që të gjithë presin në Firenze, teksa në këtë sezon të ri të ‘Serie A’, numëron vetëm 2 gola të shënuar në 11 ndeshje ku ai është aktivizuar. Megjithatë, Jovic vijon të ketë besimin e trajnerit Italiano dhe të drejtuesve të klubit, duke shtuar edhe më tej presionin tek lojtari, të paktën siç thotë vetë ai. Jovic u shpreh së fundmi se gëzon një besim e mbështetje të madhe nga ana e Fiorentinës dhe kjo po e shtyn të stërvitet sa më shumë, në mënyrë që të arrijë disa objektiva që i ka vendosur vetes. Sulmuesi deklaroi se për të firmosur me Firoentinën, ka bërë disa sakrifica të rëndësishme në aspektin financiar dhe të gjithë ata që janë pranë tij, janë në dijeni të kësaj. 24-vjeçari mori gjatë verës disa oferta me pagë shumë herë më të mirë se sa propozimi i klubit violë, por vetë Jovic zgjodhi transferimin në Firenze me synimin për të luajtur një rol prej protagonisti në një projekt mjaft interesant. Ai e pranoi se e sheh Fiorentinën si ‘një trampolinë’ për t’u kthyer në nivelet më të larta. Serbi kërkon të kthehet edhe njëherë të luajë në një klub të madh, pasi aventurës së dështuar në radhët e Real Madrid. Luka Jovic u transferua nga klubi spanjoll tek Fiorentina pa asnjë kosto, teksa me violët ka firmosur një kontratë deri në qershorin e 2024-ës, ndërkohë që vlera e kartonit të tij, llogaritet në të paktën 16 milionë euro.