Serie A, Fiorentina dhe Atalanta rrezikojnë pjesëmarrjen në Kupat e Europës

Sport

Teksa në Serinë A janë zhvilluar 34 javë, Fiorentina dhe Atalanta rrezikojnë pjesëmarrjen në kupat e Europës për edicionin e ardhshëm futbollistik. Mbërmjen e të së mërkurës, të dyja skuadrat në fjalë, zhvilluan takimet e tyre të prapambetura në kampionat, mirëpo asnjë prej tyre nuk mundi të merrte rezultat maksimal.

Madje, Fiorentina, është turpëruar në shtëpi, duke u mudur me rezultatin e thellë 4-0 nga Udinese. Pas disfatës në transfertën e Salernitanës, kjo ishte humbja e dytë radhazi për ekipin e drejtuar nga Vinçenzo Italiano, që tashmë klasifikohet në vendin e 7-të të tabelës së renditjes në kuotën e 56 pikëve.

Një pikë më pak ka Atalanta e vendit të 8-të. Në edicionet e fundit, nuk ishte parë një renditje e tillë për bergamaskët, të cilët kanë qenë vazhdimisht pjesë e zonës europiane, por sidomos zonës së Champions League. Sfida me Torinon, përfundoi me shifrat 4-4, me të dyja ekipet që në fund u ndanë me vetëm nga një pikë.

Edhe një herë tjetër, të besuarit e Gian Piero Gasperinit treguan se ndeshjet në shtëpi janë pika e tyre më e dobët e këtij sezoni. Nga 55 pikë që Atalanta ka grumbulluar këtë edicion, vetëm 19 prej tyre ka mundur t’i marrë në stadiumin e saj, ndërsa 36 të tjera në transfertë. Deri në fund kanë mbetur edhe 4 javë për t’u luajtur, e të shohim në vijimësi si do përfundojë sezoni për Fiorentinën dhe Atalantën.