Serie A, Fiorentina, Commisso sulmon Juventusin dhe presidentin Cairo

Sport

Fiorentina ia doli të siguronte gjysmëfinalet e ‘Kupës së Italisë’, pasi mposhti 2-1 Torinon dhe kjo ka shtuar jo pak entuziasmin tek klubi nga Firenze. Në intervistën pas këtij triumfi, ka gjetur momentin për të lëshuar disa akuza edhe presidenti i skuadrës vjollcë, Rocco Commisso, i cili nuk është kursyer në komentet për presidentin e Torinos, Urbano Cairo, apo edhe për drejtuesit e Juventusit. Commisso u shpreh se presidentë të klubeve të futbollit, duke iu referuar pikërisht Cairo-s, kanë në pronësi media të rëndësishme sportive në territorin italian dhe shpesh ndikojnë në situatën brenda klubeve rivale me kritikat dhe informacionet e publikuara, që sipas tij, shpesh janë të pavërteta. Numri 1 i Fiorentinës mendon se diçka e tillë nuk është normale, sadopak që mund të ndikojnë këto kritika apo raportimeve në ambjentet e klubeve rivalë.

Commisso u ndal edhe tek çështja e problemeve financiare tek skuadrat italiane, duke deklaruar se situatën në të cilën ndodhet Juventusi aktualisht, apo edhe klube të tjera të ‘Serie A’, ai e kishte paralajmëruar 2 vite më parë. Sipas tij, futbolli italian nuk do të mundet të krijojë stabilitet dhe të rrisë nivelin e lojës nëse klubet nuk kanë qëndrueshmëri në arkat e tyre.

Në lidhje me këto deklarata të Commisso-s, ka reaguar menjëherë Urbano Cairo. Presidenti i Torinos, njëkohësisht edhe pronarë i ‘Gazzetta dello Sport’, i ka konsideruar si shpifje fyese fjalët e numrit 1 të Fiorentinës dhe për këtë arsye, do të vlerësojë situatën edhe me avokatin e tij, nëse duhet të ndërmarrë veprime ligjore apo jo.