Serie A, Fiorentina, Commisso nuk do e shesë klubin; ja si do ta kthente Vlahovic

Sport

Rocco Commisso nuk ka ndërmend të heqë dorë kollaj nga projekti i nisur me Fiorentinën. Pronari i klubit nga Firenze është përfolur se do të nxjerrë në shitje aksionet e skuadrës, menjëherë sapo të përfundojë ndërtimi i kompleksit ‘Viola Park’, që pritet të shtojë ndjeshëm vlerën e Fiorentinës. Por në intervistën e tij të fundit, Commisso ka hedhur poshtë çdo aludim të medias. Italo-amerikani u shpreh se ndërtimi i ‘Viola Park’ është pjesë e projektit afatgjatë të tij dhe se ai do të vijojë të shtyjë përpara sipas planit. Shitja e Fiorentinës për të nuk është një opsion për momentin, pasi Commisso konfirmoi se nuk u bë pronar i klubit thjesht si një investitor që kërkon të nxjerrë fitime. Ai është i bindur se Fiorentina ka vlera të jashtëzakonshme për qytetin e Firenzes, prandaj do të vijojë punën me partnerët e tij për ta dërguar klubin në nivelet më të larta. Gjithësesi, numri 1 i violëve kërkon kohë që gjërat të bëhen në mënyrën e duhur. 72-vjeçari u shpreh se investimet do të bëhen në kuadër të rregullores së UEFA-s, si për të treguar që nuk do të ketë shpenzime marramendëse në merkato. Commisso u ngacmua rreth çështjes së Vlahovic, i cili braktisi Fiorentinën në janarin e kaluar, për t’u transferuar tek Juventus për shifrën e 82 milionë eurove. Pronari i klubit violë thotë se Vlahovic dhe agjentët e tij nuk kanë qenë të sinqertë në bisedimet mes tyre dhe kjo është diçka që ai nuk e harron. Gjithësesi, tek Fiorentina nuk pendohen për shitjen e Vlahovic, pasi me paratë e arkëtuara nga largimi i tij, bënë disa investime të rëndësishme gjatë merkatos verore. Në mbyllje të intervistës, Commisso tha se ka vetëm një shans që Vlahovic të kthehet tek violët. Kjo, mund të ndodhë vetëm në formulën që riktheu Lukakun tek Interi, pasi tek Fiorentina nuk kanë ndërmend të shpenzojnë tek një lojtar që nuk ka dëshirë të veshë fanellën e tyre.