Serie A, Fabian Ruiz refuzon rinovimin me Napolin; mesfushori mund të largohet që këtë verë

Sport

Merkato e kësaj vere për skuadrën e Napolit nuk do të jetë aspak e lehtë. Drejtuesit e klubit italian janë përballur me një tjetër refuzim të rinovimit të kontratës, nga një tjetër yll i ekipit të trajnerit Spalleti. Bëhet fjalë për Fabian Ruiz, që ka hedhur poshtë mundësinë e rinovimit me klubin e kaltër, duke bërë që largimi i tij nga skuadra të ndodhë me gjasa brenda kësaj vere. Mesfushorit 26-vjeçar i skadon kotnrata aktuale në qershorin e vitit të ardhshëm dhe tek Napoli nuk mund të lejonin ta humbisnin me parametra zero një lojtar të kalibrit të spanjollit. Së fundmi, Napoli i propozoi Fabian Ruiz një rinovim kontrate të paktën edhe me një vit, duke përfshirë edhe një klauzolë fikse të largimit të tij.

Kjo do të bëhej pikërisht për të mos patur presione nga klubet e tjera të mëdha, që mund të përfitonin nga dëshira e lojtarit për t’u larguar, që të ulnin ndjeshëm çmimin. Dhe ky duket të jetë skenari më i mundshëm në rastin e spanjollit, që ka refuzuar sërish propozimin e drejtuesve napoletanë, duke vënë në lëvizjet klubet që interesohen për shërbimet e tij. Pas Koulibaly e Ounas, tani është edhe Fabian Ruiz që vendos nën vështirësi De Laurentiis dhe klubin e Napolit, që janë përshëndetur edhe me emra si Insigne, Mertens apo Ospina. Vlera e Fabian Ruiz llogaritet në të paktën 55 milionë euro, por nëse mesfushori 26-vjeçar vijon të refuzojë rinovimin, atëherë largimi i tij nga Napoli do të ndodhë për një shifër shumë të vogël se sa ajo që ka pretenduar presidenti i klubit të kaltër përgjatë këtyre viteve. Në verën e 2018-ës, De Laurentiis shpenzoi 30 milionë euro për të transferuar spanjollin nga Real Betis, duke i ofruar një kontratë 5-vjeçare, e cila mbetet ende në fuqi.