Më 14 nëntor të vitit të kaluar, Claudio Ranieri la rehatinë e të pushuarit në shtëpi, për të marrë drejtimin e Romës, një klub që ai e ka përzemër më shumë se çdo skuadër tjetër. Në atë kohë, për shumë njerëz, 73-vjeçari u pa si njeriu që do të përpiqej të rikthente entuziasmin tek skuadra, por duke parë kryesisht nga e ardhmja. Pak do të besonin se Roma e tij, do të ishte në luftë për zonën ‘Champions’ në fundin e këtij sezoni, por ja që ky është tashmë një realitet për kryeqytetasit. Në 23 ndeshje në ‘Serie A’ në këtë sezon, Ranieri ka udhëhequr ekipin e tij drejt 15 fitoreve, 5 barazime e 3 humbje. Disfata e fundit në kampionat e Romës, daton në 15 dhjetor 2024, kur mposhteshin në transfertë nga Como 2-0. Nga ai moment, verdhekuqtë kanë nisur një rrugëtim prej 19 ndeshje pa humbje, nga të cilat kanë fituar 14, me 32 gola të shënuar dhe vetëm 9 të pësuar. Ranieri ka rikthyer jo vetëm entuziasmin dhe shpresën për popullin roman, por edhe rezultatet. Fitoret ndaj Interit dhe ajo më e fundit, ndaj Fiorentinës, treguan më së miri se kjo ecuri nuk është e rastësishme dhe se Roma mund të luajë si e barabartë edhe ndaj rivalëve direkt për zonën ‘Champions’. Tani, në rrugën e tyre drejt rikthimit të lavdishëm në elitën e futbollit europian, qëndrojnë 3 skuadra. Atalanta, Milan dhe Torino janë sfidat e radhës për Romën, që duke shpresuar të përfitojë edhe nga përballja direkte mes Lazio-s dhe Juve-s, do të provojë të realizojë një nga gjërat më të pabesueshme në futbollin modern në Itali, Nga një skuadër, që pak ditë para mbërritjes së Ranierit projektohej ta mbyllte në mesin e tabelës, tek një nga klubet që mund të përfaqësojë Italinë në futbollin europian në sezonin e ardhshëm. Nën drejtimin e profesor Ranierit, Roma ka patur një ecuri prej kampioni. Për shumë, është mëkat që ai nuk ishte nga fillimi në krye të stolit, apo që nuk do të vijojë punën pas përfundimit të këtij sezoni, por padyshim që Ranieri i ka kujtuar të gjithëve se pse është një nga figurat më të dashura të qytetit të Romës.
