Thuajse të gjtha skuadrat e mëdha në ‘Serie A’ do të përfshihen gjatë kësaj vere nga ndryshimet e shumta, që nisin nga stoli. Një pjesë e mirë e klubeve do të ndryshojnë ‘timonierin’ nga sezoni i ardhshëm, por këto lëvizje, duket se po prekin edhe ato skuadra që në këtë aspekt, shiheshin të konsoliduara. E papritura vjen nga Firenze, aty ku zbulohet se trajneri i Fiorentinës, Raffaele Palladino, do të japë dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës. Ky është një lajm shumë i papritur për shkak se vetëm pak ditë më parë, u lajmërua se ishte gjetur një akord për rinovimin e kontratës së tij me klubin të paktën deri në vitin 2027. Në fakt, marrëveshja për rinovimin me Palladino-n erdhi pasi drejtuesit e Fiorentinës ishin në dijeni të kërkesave për teknikun nga skuadrat e tjera të ‘Serie A’, por pavarësisht përpjekjeve, trajneri nuk do të bëjë hapa pas. Për momentin, motivi i ndërprerjes së këtij bashkëpunimi, për Palladino-n është mospërputhja e objektivave teknikë, por që mediat zbulojnë se ka të bëjë në të vërtetë me ofertat e ardhura në drejtim të trajnerit. Shumë e shohin Raffaele Palladino-n si trajnerin e ardhshëm të Atalantës, ku do të zëvendësojë një emër të rëndësishëm si Gian Piero Gasperini. Por me Marco Baroni-n drejt shkarkimit, edhe Lazio po lëviz në drejtim të teknikut 41-vjeçar, që mesa duket ka preferuar të bëjë një hap drejt një klubi më të madh, se sa të vijonte punën me projektin e nisur tek Fiorentina. Palladino mori drejtimin e skuadrës së Fiorentinës vetëm verën e kaluar, ku pas punës së mirë të bërë tek Monza, u transferua në Firenze për të zëvendësuar Vincenzo Italiano-n.
