Serie A, Dybala kërkon skuadër; në skenë del edhe Milani, por paga mbetet problem

Sport

Paulo Dybala do të jetë në qendër të vëmendjes sa i përket merkatos, derisa argjentinasi të marrë një vendim për të ardhmen. Konfirmimi i drejtuesve të Juventusit se mes klubit bardhezi dhe Dybala-s nuk ka një marrëveshje për rinovimin e kontratës, ka vënë në lëvizje shumë klube të rëndësishëm të Europës, që do të ishin shumë të kënaqur të afronin me parametra zero një lojtar të kalibrit të argjentinasit.

28-vjeçari është lidhur shpesh me një kalim të mundshëm tek rivalët e Interit, por sipas asaj që raportojnë mediat italiane, Dybala nuk e pëlqen shumë ribashkimit me Marotta-n. Për këtë arsye, fantazisti do t’i shqyrtojë me kujdes të gjitha mundësitë dhe në skenë tashmë ka dalë edhe Milani. 7 herë kampionët e Europës kanë nevoja të mëdha për një lojtar si Dybala, që do të zgjidhte jo pak telashe për trajnerin Pioli sa i përket numrit 10. Megjithatë, njësoj si për klubet e tjera italiane apo edhe ato spanjolle, problem mbetet paga e lojtarit.

Drejtori i Milanit, Paolo Maldini ka vendosur që për pagat e lojtarëve të mos e kalojë kuotën e 5 milionë eurove në sezon. Kjo shifër padyshim që nuk do të pranohet nga Dybala.

Për argjentinasin, klubi kuqezi mund të bëjë një përjashtim, si në rastin e Ibrahimovic, që përfiton 7 milionë euro, në bazë të ndeshjeve që do të luajë. Por nëse një gjë e tillë do të ndodhte edhe me Dybala-n, atëherë në dhomat e zhveshjes mund të shfaqeshin pakënaqësi nga lojtarë të caktuar.

Kështu, nëse Dybala nuk i ul pretendimet e tij sa i përket pagës, atëherë zgjidhja më e mirë për të është transferimi në kampionatin anglez, aty ku mbi të gjithë janë Arsenali dhe Tottenham, që do të ishin të gatshëm të bënin çdo gjë për të afruar në organikën e tyre, yllin aktual të Juventusit.