Juventusi dhe Interi kanë marrë nga një lajm tepër negativ përpara ndeshjes direkte mes tyre në 6 nëntor, e vlefshme për javën e 13-të të Serie A.
Paul Pogba ka pësuar një tjetër dëmtim dhe si pasojë nuk do jetë I gatshëm deri në janar të 2023-shit. Mesfushori e la pas lëndimin në gju, por këtë herë ka pësuar një tërheqje muskulore në kofshën e djathtë.
Në këtë mënyrë, francezi nuk do jetë I gatshëm për përfaqësuesen e tij as në Kupën e Botës Katar 2022.
Shtatlarti kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer në stërvitje me Juventusin, por është ndalur nga një tjetër dëmtim. Rikthimi I tij nuk ka shkuar aspak sikurse pritej në radhët e klubit bardhezi. 29 vjeçari nuk ka arritur të luajë asnjë ndeshje deri në këtë fazë të sezonit, ndërsa për të zbritur në fushë, duhet të presë janarin.
Në krahun tjetër, po aq I pafatë mund të konsiderohet edhe Romelu Lukaku. Sulmuesi I qendrës nuk ishte I gatshëm prej dy muajsh si pasojë e një tërheqjeje muskulore në kofshën e majtë, duke munguar një total prej 12 ndeshjesh. Belgu u rikthye në mesjavën e kaluar në Champions League ndaj Viktoria Plzen, ku arriti të shënonte edhe golin e 4 për skuadrën e tij, mirëpo së fundmi ka pëuar sërish një tërheqje muskulore, po në kofshën e majtë.
Ndonëse priten ekzaminimet që ta thonë fjalën përfundimtare, sipas raportimeve të deritanimshme, faza e parë e sezonit, mund të konsiderohet e mbyllur për Lukakun. Ashtu sikurse Pogba I Juventusit, edhe lojtari I Interit, do kthehet në dispozicion të skuadrës zikaltër në janar të vitit 2023.