Serie A, De Ligt kalon tek Bayern; ja detajet e transferimit nga Juventusi në Bavari

Sport

Tashmë çdo gjë është e konfirmuar. Nga sezoni i ardhshëm, Matthijs de Ligt do të jetë pjesë e Bayern Munchen, ku raportohet se do të firmosë një kontratë 5-vjeçare e nga ku do të përfitojë rreth 12 milionë euro në sezon. Mbrojtësi bëhet holandezi i dytë që i bashkohet kampionëve të ‘Bundesliga’-s në këtë merkato verore, pas Ryan Gravenberch, teksa marrëveshja mes klubeve është arritur shumë shpejt.

Juventusi kërkonte fillimisht 90 deri në 100 milionë euro për të lënë të lirë De Ligt. Por duke parë dëshirën e mbrojtësit për t’u larguar nga Torino, si dhe nevojën për të gjeneruar sa më shpejt para për merkaton, ka bërë që drejtuesit bardhezi të ulin pretendimet e tyre. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, Bayern do të paguajë menjëherë 75 milionë euro për kartonin e De Ligt, por këtij operacioni do t’i shtohen edhe 5 milionë euro të tjera në formë bonusi, për t’i ndalur tek shifra totale e 80 milionëve. Akordi mes përfaqësuesve të De Ligt dhe Bayern ishte arritur prej disa ditësh dhe tani që edhe klubet arritën një marrëveshje, pritet vetëm prezantimi zyrtar i holandezit me fanellën e Bayern.

Sapo një gjë e tillë të ndodhë, drejtuesit e Juventusit do të vijojnë punën në merkaton në hyrje, ku ende po bisedohet për emra si Gabriel i Arsenalit apo Pau Torres i Villarreal-it, që shihen si zëvendësuesit e mundshëm të De Ligt, pasi Bremer mbetet një hap larg Interit. Për më tepër, paratë e gjeneruara nga shitja e mbrojtësit holandez mund të përdoren edhe për afrime të tjera të rëndësishme në repartin e sulmit, ku Nicolo Zaniolo mbetet një objektiv serioz për klubin torinez.