Serie A, De Ketelaere flet për dështimin tek Milani

Sport

Charles De Ketelaere duket sikur ka ndryshuar fytyrë që nga debutimi i tij me fanellën e Atalantës. Belgu po shijon një moment mjaft të mirë tek bergamaskët, duke lënë pas një vit të tmerrshëm në radhëtë e Milanit. Madje 22-vjeçari shijoi golin e tij të parë në ‘Serie A’, që në ndeshjen debutuese me skuadrën e re, duke i dhënë të drejtë lojtarit për tranferimin e tij gjatë merkatos së verës. De Ketelaere i është rikthyer sërish aventurës së tij tek Milani në intervistën e fundit, duke e pranuar se gjërat nuk shkuan mirë edhe për fajin e tij. Belgu u shpreh ndryshimi i sistemit të lojës kërkoi kohën e vet, duke iu referuar stilin të ndryshëm të lojës në ‘Serie A’ në krahasim me futbollin belg, ndërkohë që e pati të vështirë edhe me gjuhën. Sipas tij, në aventurën me Milanin ishte një sërë faktorësh që e bënë  të pamundur funksionimit e bashkëpunimit dhe për këtë, ai mban edhe përgjegjësitë e tij. Sezoni tek kuqezinjtë nuk nisi ashtu siç vetë De Ketelaere kishte menduar, duke vuajtur edhe presionin e madh mbi shpatullat e tij, teksa e pohoi se një ndikim të konsiderueshëm e kishin patur edhe kritikat e shumta nëpër media. Ndeshje pas ndeshje, belgu ishte vënë në shënjestrën e tifozëve dhe të gazetarëve e kjo gjë nuk po e ndihmonte aspak lojtarin. Duke qenë një tip i qetë e i tërhequr, De Ketelaere tha se kishte të pamundur ta kthente në forcë të gjithë atë situatë dhe më pas u duk sikur filloi të humbiste edhe besimin e skuadrës. Gjithësesi, kjo tashmë i përket së kaluarës. Gjatë verës, si klubi milanez, edhe vetë lojtari, e kishin të qartë se duhet të ndanin rrugët e tyre. Tek Atalanta, De Ketelaere ka rigjetur formën e duhur e nuk i mungon besimi nga trajneri Gasperini. Ai ka qenë në fushë në të treja ndeshjet e para të sezonit pë Atalantën, ku veç golit të shënuar në takimin debutues me bergamaskët, ka shërbyer edhe një asist në fitoren 3-0 nda Monzas.