Serie A, De Bruyme flet për aventurën e re dhe diferencat mes Conte e Guardiola

Sport

Kevin De Bruyne e ka nisur ashtu siç i ka hije aventurën e tij të re tek Napoli. Belgu shënoi në ndeshjen debutuese në ‘Serie A’, duke i dhënë fitoren 2-0 skuadrës së tij në transfertën ndaj Sassuolo-s dhe duke provuar në fushë se çfarë cilësish i ofron trajnerit Conte.

I pyetur rreth aventurës së tij të re, mesfushori u shfaq i lumtur për atë se çfarë ka gjetur tek Napoli, diçka për të cilën i kishte folur shumë edhe Romelu Lukaku. Sulmuesi, sipas De Bruyne, ishte një nga ata që e bindi për të bërë këtë lëvizje dhe është i lumtur që zgjodhi të vazhdonte karrierën tek kampionët e Italisë. Edhe pse është ende herët për të bërë parashikime, De Bruyne mendon se ekipi i ka të gjitha cilësitë për të pretenduar gjëra të mëdha, si në kampionat, edhe në ‘Champions League’. Kjo, edhe për meritë të trajnerit Conte, që për mesfushorin belg ndryshon jo pak nga mënyrat e Pep Guardiola-s. Sipas 34-vjeçarit, Conte është ndryshe jo vetëm në metodat teknike, por edhe për mënyrën se si e trajton grupin e lojtarëve. Ai zbuloi se stërvitjet me Conte-n janë shumë intensive e të lodhshme. Ndërkohë që ata, të cilët nuk përkushtohen mjaftueshëm, e shohin veten jashtë. Ky mentalitet sipas tij e ka bërë Napolin të ketë një identitet të qartë e me karakter të fortë në fushën e lojës, që është shumë e rëndësishme kur bëhet fjalë për nivele të tilla.

Në fund, De Bruyne u ndal edhe tek kritikat e skeptikëve, në lidhje me transferimin e tij apo të Luka Modric tek Milani, për shkak se konsiderohen si veteranë. De Bruyne e pranoi se nuk janë më të rinj e të shpejtë si përpara 10 viteve, por tani kanë një eksperiencë të rëndësishme, pasi kanë luajtur në nivelet më të larta. Sa i përket impaktit të tyre, De Bruyne e mbylli duke thënë se vetëm fusha e blertë do të tregojë rezultatet e këtyre lëvizjeje, por garantoi se si ai, edhe Modric, kanë ardhur në Itali për të shkruar historinë e tyre.