Serie A, Çështja ‘plusvalencat’; buzëqeshin Juventus dhe Napoli

Sport

Pak muaj më parë, një nga çështjet më të diskutuara në futbollin italian ishte ajo e ‘plusvalencave’. Shumë klube dhe drejtues të tyre u vendosën nën hetim nga ana e prokurorisë me akuzën e mosdeklarimit të vlerave reale të transaksioneve të merkatos apo edhe për evazion fiskal. Juventus, Napoli e Genoa ishte disa nga klubet më të implikuara në atë që mediat italiane e konsideruan si një skandal në futbollin italian.

Por mesa duket, çdo gjë ka kaluar me sukses për Aurelio De Laurentiis dhe Andrea Agnelli. Këta të fundit ishin pjesë e listës së personave që po hetoheshin, por gjatë kësaj jave kanë marrë një lajm të mirë nga ana e ‘Gjykatës së Apelit’. Të gjitha pretendimet e bëra nga ana e prokurorisë në drejtim të këtyre klubeve tashmë janë hedhur poshtë nga ‘Gjykata e Apelit’, që i jep qetësi dhe kohë drejtuesve të skuadrave të bëjnë lëvizjet e tyre për të mos i dhënë asnjë arsye ‘UEFA’-s dhe prokurorisë italiane të nisë sërish hetimet. Sipas asaj që raportohet nga vendi fqinj, pala akuzuese kishte kërkuar në fillim të procesit gjoba të majme për klubet e përfshira. Në rastin e Juventusit, bardhezinjtë do të ndëshkoheshin me një gjobë prej 800 mijë eurosh, kurse Napoli me rreth 329 mijë euro.

Gjithashtu ishte planifikuar edhe pezullimi të gjata për disa drejtues. Agnelli do të ndalohej të kryente detyrën e tij tek Juventusi për të paktën 12 muaj, kurse De Laurentiis nuk do të mund të vepronte dot si numri 1 i Napolit për rreth 11 muaj. Por për momentin këto dënime janë hedhur poshtë nga ana e ‘Gjykatës së Apelit’. Edhe pse çështja e ‘plusvalencave’ ende nuk është mbyllur, kjo përballje e parë me prokurorinë ka shkuar në favor të klubeve të akuzuara dhe drejtuesve të tyre.