Serie A, Çështja ‘Juve-Salernitana’; ja se çfarë thotë rregullorja

Sport

Episodet e ndodhura në fundin e ndeshjes Juventus-Salernitana do të jenë kryefjala e mediave italiane përgjatë gjithë kësaj jave, në atë që torinezët e cilësojnë si një vjedhje të fitores së tyre. Goli i Milik u duk se i dha 3 pikët e përmbysjes së madhe Allegri-t, deri sa erdhi ndërhyrja e sistemit VAR. Goli i quajt i parregullt, për një pozicion jashtë loje të Leonardo Bonucci-t. Fillimisht, torinezët protestuan tek arbitri për arsye se sipas tyre, Bonucci nuk merrte pjesë në aksion. Mbrojtësi në fakt nuk e prek topin e goditur nga Milik, por konsiderohet në trajektoren drejt portës. Kjo, është një nga ato situata që kërkon interpretimin e arbitrit kryesor, i cili duke u bazuar në pamjet që iu treguan nga dhoma e VAR-it, me të drejtë anulloi golin për pozicion të parregullt. Mirëpo siç duket edhe nga pamjet e tjera, të dala kryesisht pas ndeshjes, është Antonio Candreva ai që mban në lojë lojtarët bardhezi. Candreva qëndronte pranë këndores dhe ishte ai lojtari i fundit i mbrojtjes së Salernitanës, por Luca Banti, arbitri që qëndronte tek sistemi VAR, i ka treguar arbitrit kryesor, Marcenaro, vetëm pamjet brenda zonës, ku gjendeshin pjesa më e madhe e lojtarëve e ku ndodhi i gjithë aksioni. Në këtë situatë, gabimi duket se shkon tek VAR, që nuk ka shfaqur panoramën e plotë të momentit të golit të anulluar të Milik, duke ndikuar edhe tek vendimi i Marcenaro-s, i cili nuk duket të ketë faj në atë se çfarë ndodhi në ‘Allianz Stadium’. Në anën tjetër, për Banti-n, i cili gjendej në VAR, mund të ketë ndëshkime. Tek Juventusi kanë kërkuar ta konsiderojnë ndeshjen ndaj Salernitanës të pavlefshme. Sipas tyre, sfida duhet të riluhet për shkak se kanë ndikuar arbitrat në rezultatin final. Mirëpo sipas rregullores, një gjë e tillë as nuk merret në konsideratë. Rregullorja thotë se një ndeshje nuk mund të quhet e pavlefshme për shkak të një gabimi teknik të sistemit VAR, siç është konsideruar edhe ajo që ndodhi në Juventus-Salernitana. Një situatë e ngjashme u pa në sezonin e shkuar në Milan-Napoli, kur goli i kuqezinjve u anullua për një pozicion jashtë loje të Giroud, i cili i shtrirë në tokë, nuk merrte pjesë në aksion. Edhe asokohe, situata kaloi duke e raportuar si një gabim teknik të sistemit VAR, prandaj Juvja dhe Allegri, duhet të kënaqen me vetëm 1 pikë nga sfida me Salernitanën.