Serie A, Brekalo si Salah; ndryshimi i agjentit ngec akordin me Torinon

Sport

Josip Brekalo ka qenë një ndër lojtarët më të rëndësishëm në këtë sezon të ‘Serie A’ për skuadrën e Torinos. Fantazisti i ardhur në formë huazimi ka bindur trajnerin Ivan Juric që në ditët e tij të para në klubin ‘granata’ dhe e ka patur thuajse të sigurt formacionin titullar, teksa në 31 ndeshje të luajtura në kampionatin italian, numëron 7 gola e 2 asiste. Po ashtu, Brekalo është lojtari që krijon më shumë raste të rrezikshme për skuadrën e Torinos. Të gjitha këto të dhëna, duket se bindën drejtuesit e Torinos për tëblerë përfundimisht kartonin e tij nga Wolfsburg. Mirëpo kur gjërat dukej se po shkonin drejt zyrtarizimit, ka ardhur edhe një kthesë e madhe e situatës. Vetë pak ditë më parë, Brekalo ka ndryshuar agjentin dhe përfaqësuesit e tij juridik, që kanë hedhur poshtë një marrëveshje paraprake që Torino kishte arritur me agjentin e mëparshëm.

Në fakt klubi italian është vënë në pikëpyetje për blerjen e 23-vjeçarit, pasi thuhet se ky i fundit u ka kërkuar drejtuesve që të ketë një klauzolë të veçantë në kontratë, që ta lejojë largimin e menjëherëshëm të tij nëse merr një ofertë nga një klub që luanë në ‘Champions League’. Torino ndërkohë kishte bërë gati 11 milionë euro për kartonin e Brekalos, por interesimi i disa klubeve të mëdha për shërbimet e tij ka bërë që situatë të përmbyset, edhe pse ka patur disa marrëveshje paraprake. Ndryshimi i agjentit të lojtarit në fakt u ka prishur llogaritë drejtuesve të Torinos, pasi në marrëveshjen fillestare mes palëve, ekziston një pikë që lejon ndryshimin e termave fillestare në rast se fantazisti 23-vjeçar nuk do të kishte të njëjtin agjent.

Në futbollin italian, nuk është hera e parë që paraqitet një situatë e tillë kaq e ndërlikuar. Vite më parë, ishte Salah që kishte një marrëveshje të ngjashme me klubin e Fiorentinës, ku luante si i huazuar nga Chelsea. Ndonëse klubi violë kërkoi të firmoste me Salah për një transferim të përhershëm, një ndryshim i përfaqësuesve ligjor të egjiptianit i dhanë mundësinë Chelsea-t të ndryshonte termat e marrëveshjes. Salah kështu do të transferohej tek Roma e më pas, historia dihet si vazhdon. Brekalo do të shqyrtojë me kujdes ofertat nga klubet që luajnë në ‘Champions League’ sezonin e ardhshëm. Nëse nuk do të ketë asgjë konkrete në këtë drejtim, atëherë kroati do ta ketë derën të hapur tek skuadra e Torinos.