Serie A, Bologna e Juventus ndahen në barazim; ndizet më tepër lufta për ‘Champions;

Sport

Është mbyllur në barazim një nga ndeshjet më të rëndësishme të javës së 35-të në ‘Serie A’, që mund të vendosë jo pak për fatet e shumë skuadrave në këtë sezon. Lufta për një vend në zonën ‘Champions’ është bërë edhe më e fortë e teksa kanë mbetur vetëm 3 javë nga fundi i sezonit, çdo gabim mund të kushtojë rëndë. Për të pestën herë radhazi, Bologna dhe Juventus janë ndarë me një barazim mes tyre, me sfidën në ‘Renato Dall’Ara’ të mbyllur 1-1. Kephren Thuram ishte ai që kaloi në avantazh torinezët në minutën e 9, ndërsa vendasit do të gjenin barazimin po në të njëjtën minutë, por në pjesën e dytë, me anë të zviceranit Remo Freuler. Pavarësisht se Bologna u shfaq më dominuese, lojtarët e Vincenzo Italiano-s nuk ia doli të kompletonte përmbysjen. Ky rezultat i dha nga një pikë skuadrave, që duke u bashkëlidhur me verdiktet e tjera të javës së 35-të, sheh 5 skuadra që luftojnë për vendin e katërt. Juventus, Roma dhe Lazio janë në kuotë të barabartë pikësh, 63, ndërkohë që Bologna ndjek me 1 pikë më pak. Disi më e distancuar është skuadra e Fiorentinës me 59 pikë, por duke parë atë se çfarë po prodhon ky fund i sezonit, çdo skenar merret në konsideratë.

Nga kalendari i mbetur i ndeshjeve, ‘në letër’, Juventus duket se e ka vetë në dorë fatin e këtij fund-sezoni. Bardhezinjtë kanë një ndeshje deçizive ndaj Lazio-s në tranfertë, e më pas e presin sfidat ndaj Udinese-s dhe Venezia-s. Ndërkohë vetë lacialët, pas Juventus, do të udhëtojnë drejt Milanos, për të sfiduar Interin  e Simone Inzaghi-t. Kalendar jo i lehtë edhe për Romën, që luan ndaj Atalantës në transfertë e më pas pret Milanin në shtëpi, përpara se ta mbyllë sezonin me takimin kundër Torinos.

Në rast se renditja do mbyllej në kushtet aktuale, edhe pse me pikë të barabarta, Juventus ka një avantazh ndaj Romës dhe Lazio-s. Por këtu vijmë sërish tek përballja e ‘Olimpico’-s në javën e 36, pasi pikërisht takimi midis të kaltërve të trajnerit Marco Baroni dhe bardhezinjve të drejtuar nga Igor Tudor, mund të na tregojë se cila skuadër, do të jetë më pranë vendit të katërt.