Atalanta e Gian Piero Gasperini-t ka marrë nëj fitore me shumë vlera ndaj Romës së Jose Mourinho-s, në një ndeshje që bergamaskët e fituan 3-1, duke përfituar edhe nga gabimet e verdhekuqve. Mario Pasalic ishte ai që gjeti i pari rrugën e rrjetës, pasi u shërbeu në mënyrë të përkryer nga Duvan Zapata. Kroati është një nga të paktët mesfushorë të ‘Serie A’ që në pesë sezonet e fundit, ka marrë pjesë në të paktën 5 gola të skuadrës së tij. Në pjesën e dytë, Roma filloi të sulmonte gjithnjë e më shumë, në kërkim të golit. Por ata që do të realizonin do të ishin sërish vendasit, me kapitenin Rafael Toloi që përfitoi nga kaosi i krijuar në zonën e Romës. Kryeqytetasit do të rihapnin gjithçka në minutën e 83-të, kur një kundërsulm i shpejtë i Andrea Belotti-t, do të finalizohej saktë nga Lorenzo Pellegrini. Por vetëm 1 minutë më vonë, portieri i Romës, Rui Patricio, do të bëntë një gafë që i kushtoi jo pak skuadrës së tij, me Teun Koopmeiners që përfitoi për të vulosur shifrat në 3-1. 25-vjeçari i Atalantës është i pari mesfushor holandez që arrin kuotën e 7 golave në një sezon të ‘Serie A’, që nga 2007/2008-a, kur diçka të tillë e realizonte Clarence Seedorf me fanellën e Milanit.
Triumfi i Atalantës në Bergamo ndaj Romës ka bërë që gjërat të ndizen edhe më shumë sa i përket ‘luftës’ për një vend në zonën ‘Champions’. Milani dhe Roma qëndrojnë në kuotën e 56 pikëve, në vendet 4 e 5, ndërs Interi ndjek me 54 pikë e Atalanta me 52. Lazio mban vendin e dytë me 61 pikë, me Juventus që numëron 2 pikë më pak. Mirëpo kalendari i javëve të mbetura në ‘Serie A’ premton përballje direkte mes këtyre skuadrave, duke bërë që renditja finale në zonën ‘Champions’ të mbetet e paparashikueshme.