Serie A/ Atalanta rikthehet tek fitorja pas 4 ndeshjesh

Sport

Atalanta i jep fund ecurisë prej 4 ndeshjesh pa fitore. Skuadra është rikthyer sërish të marrë maksimumin e pikëve dhe këtë e ka bërë në transfertë ndaj Bolognas, duel i vlefshëm për javën e 17-të të kampionatit. Të besuarit e Gian Piero Gasperinit kanë arritur të fitojnë me rezultatin 2-1 dhe këtë e bënë me përmbysje të rezultatit.

Ishin pikërisht vendasit ata që kaluan të parët në avantazh me anë të Riçardo Orsolinit që në minutën e 6-të. I lindur në Janar të 1997-tës, Orsolini, është një prej 3 lojtarëve italianë, i përfshirë në më tepër se 50 gola në Serie A.

Mirëpo, pjesa e dytë do të niste në mënyrën më të mirë të mundshme për Atalantën. Kur kishin kaluar vetëm 2 minuta, Teun Koopmeiners riktheu barazpeshën. Nga ky moment, skuadra nga Bergamo besoi më tepër në golin e epërsisë dhe atë e gjeti në minutën e 58-të me anë të Rasmus Hojlund. Me këtë fitore, Atalanta ngjitet në vendin e 6-të të tabelës së klasifikimit, në kuotën e 31 pikëve, ndërsa Bologna në të 12-tin në kuotën e 19 pikëve.

Një tjetër duel i javës së 17-të, ishte edhe ai mes Veronës dhe Cremoneses, që përfundoi me rezultatin 2-0 për të besuarit e Marco Zaffaroni. Darko Lasoviç shënoi dy herë për të tijtë, në minutën e 9-të dhe 26-të, duke u bërë në këtë mënyrë lojtari i parë që shënon një dygolësh për Veronën që nga 30 Tetori i 2021-shit.

Me këtë fitore, që ishte e dyta sezonale, Verona ka shkuar në kuotën e 9 pikëve dhe renditet në vendin e 18-të, ndërsa Cremonese mbetet me 7 pikë dhe mbyll tabelën e klasifikimit në Serie A.