Serie A, Atalanta, Lookman mendon ndërprerjen e kontratës, por Interi do të mbetej sërish ‘ëndërr’

Sport

Çështja e Ademola Lookman tek Atalanta mund të marrë ngjyra akoma më armiqësore. Lojtari e ka bërë të qartë te klubi se nuk ka ndërmend të rikthehet të luajë me ta, pasi kërkon me çdo kusht transferimin e tij tek Interi. Por duke qenë se këta të fundit nuk i përmbushin kërkesat financiare të bergamaskëve për kartonin e sulmuesit nigerian, atëherë tratativat për një marrëveshje kanë ngecur.

Zërat pranë lojtarit janë shprehur se Lookman dhe agjentët e tij po i shqyrtojnë të gjitha mënyrat për t’u larguar nga Atalanta e për t’u bashkuar me Interin. Andrea D’Amico madje ngriti hipotezën e prishjes së kontratës në mënyrë të njëanshme nga lojtari, që do të paguante një gjobë ndaj klubit, por që gjithësesi do të ishte më e ulët se kërkesa për kartonin e tij.

Por nga ajo që zbulohet, edhe nëse do të ndodhte një skenar i tillë, Lookman nuk do të kishte mundësi të firmoste me Interin. Sipas rregullores së FIFA-s, janë tre pika në artikullin e 17 që do të ndërhynin në këtë situatë. Fillimisht, rregulloja shpjegon qartë që një gjë e tillë të ndodhë, duhet që të kenë kaluar të paktën 3 vite nga nënshkrimi i kontratës së lojtarit, që në të atë kohë duhet të ketë qenë më i ri se 25 vjeç. Në rast së prishjes së njëanshme të marrëveshjes, lojtari nuk lejohet të firmosë me një skuadër të të njëjtit shtet të klubit që po largohet, duke e bërë të pamundur nënshkrimin me Interin. Gjithashtu, Lojtari duhet ta shprehë dëshirën për prishjen e kontratës të paktën 15 ditë deri në ndeshjen zyrtare, çfarë do të thotë se Lookman ka kohë për diçka të tillë deri më 9 gusht.

Kështu, edhe ky skenar për sulmuesin nigerian nuk do të ishte i suksesshëm, prandaj situata mes tij dhe Atalantës, mbeten ende e komplikuar.